Kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi në Kuvend për punën e vitit 2023. Ai theksoi qytetet me grupet kriminale më aktive në vend, teksa u shpreh se vrasjet janë më të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.
“Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.
Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.
Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.
Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve”, tha Altin Dumani.