Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK ministrin e ri të Mbrojtjes Pirro Vëngu.
Kallëzimi është bërë për një procedurë tenderi e realizuar në muajin korrik 2024 nga Autoriteti Portual Durrës, ku Vëngu ka nënshkruar një kontratë konsulencë me kompaninë hollandeze Royal Haskoning DHV, me vlerë 12 milionë euro.
Vëngu rezulton se ka shmangur të gjitha rregullat e prokurimit publik duke përzgjedhur drejtpërdrejtë kompanitë fituese, duke cënuar haptazi interesin publik dhe dëmtuar rëndë Buxhetin e Shtetit, me qëllim përfitimin ekonomik të subjektit privat.
Sipas Partisë Demokratike Pirro Vëngu ish drejtor i Autoritetit Portual Durrës ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.