Tufa e parë me avionët e shumëpritur luftarakë, F-16, ka mbërritur në Ukrainë, thanë ministri i Jashtëm i Lituanisë dhe një zyrtar amerikan të mërkurën.
F16-shat, të ndërtuar nga Lochheed Martin, kanë qenë dëshirë e kamotshme e Ukrainës, për shkak të forcës së tyre shkatërruese. Ky avion mund të bartë bomba, predha dhe raketa.
“F16-shat në Ukrainë. Një gjë tjetër e pamundur doli të ishte plotësisht e mundur”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, në rrjetin social X.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonime, tha se dërgimi i avionëve F-16 në Ukrainë është kompletuar.
Danimarka është zotuar se do t’ia dërgojë Ukrainës në përgjithësi 19 avionë lfutarakë, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh.
Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për ta furnizuar Ukrainën me avionë F-16.
Edhe Norvegjia ka thënë se do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16.