Në kuadër të operacionit të koduar “Fani”, Policia e Mirditës ka arrestuar 31-vjeçarin V. N. për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Kujt, Njësia Administrative Fan. Operacioni, pjesë e planit kombëtar “Territor i Pastër”, ka rezultuar në sekuestrimin e rreth 4 kilogramë kanabis të paketuara për shitje, një armë gjahu, jelek antiplumb dhe fenelina.
V. N. u kap në flagrancë në një parcelë pyjore, ku dyshohet se kishte kultivuar dhjetëra bimë cannabis sativa. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, policia gjeti dhe sekuestruan lëndën narkotike dhe armët. Po ashtu, u proceduan penalisht kryeplaku i fshatit Fan, F. Gj., dhe specialisti i pyjores, Sh. M., për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale. Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Lezhës për veprime të mëtejshme.