Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë.
Guvernatori Gent Sejko në një deklaratë për mediat tha se përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen.
“Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.0 %, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 2.0 %, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 4.0%”, tha Sejko.
Më pas ai tha se nga këndvështrimi makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme.
“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme”, tha Sejko.