Partia Demokratike ka denoncuar përsëri aferën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike Genta Vangjeli tha se shkeljet dhe abuzimet me ndërtimin e këtij tuneli u kanë kushtuar shqiptarëve të paktën 28 milionë euro për kilometër.
“Edhe pse tuneli është i hapur për përdorim, nuk dihet nëse punimet janë marrë në dorëzim nga AK dhe ka përfunduar kolaudimi i tyre në përmbushje të detyrimeve ligjore përpara hapjes për përdorim të veprave infrastrukturore. Ajo që dallohet lehtësisht për ata që vizitojnë këtë tunel është mungesa e monitorimit ndaj zbatimit të këtij projekti, që po zhbën mjedisin dhe bukurinë e zonës së mbrojtur të Parkut Natyror në pjesën e Llogarasë. Inertet e mbetjeve të tunelit shtrihen përgjatë faqes së malit duke shkatërruar vitalitetin e bimësisë së egër të zonës”, u shpreh Vangjeli.