Disa ditë më para në Pogradec u dhunua për vdekje 42-vjeçari Egli Proga. E motra e tij Jonida Proga tha se atë e ka lajmëruar djali i tezes dhe e shokuar i ka pyetur policët në spital se çfarë kishte ndodhur i kanë thënë që është rrëzuar.
“Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysëm ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin”, tha motra e viktimës.
Ajo shprehet se Egli ishte njeriu më i butë dhe më i dashur , ishte familjar në punën e tij dhe e kanë provokuar dhe më pas e kanë vrarë.
“Është vrasje në bashkëpunim, sështë vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka patur shirita, makinat kalonin aty, njerëzit pinin kafe. Kjo është vrasje nga të gjitha anët, me gjakftohtësinë më të madhe, nuk është një vrasës, kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë. Kushdo që ka guxuar mos të guxojë më”, thotë Jonida Proga.
Motra e viktimës kërkon që kjo ngjarje të hetohet në çdo detaj dhe në çdo gjë që ka ndodhur.
“Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, çdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet. Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur? Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?”, u shpreh Jonida.