Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social X ka reaguar në lidhje me vrasjen e Egli Progës në qytetin e Pogradecit.
Rama shprehet se sot policia e shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit.
“Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral”, shkruan kryeministri.
Rama thotë që ky është konkluzioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që është e angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes.
“Bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore”, shprehet kryeministri.