Në gjysmën e parë të vitit 2024, ka pasur një rënie të ndjeshme të migrimit të parregullt përmes rrugëve të Ballkanit, sipas raportit të fundit nga Agjencia Kufitare e BE-së, FRONTEX. Sipas të dhënave, kalimet e migrantëve të parregullt janë ulur me 75%, duke arritur në 12,407 raste nga janari në korrik 2024.
Raporti thekson se shumica e migrantëve që janë kapur gjatë këtij periudhe janë nga Siria, Turqia dhe Afganistani. Përgjithësisht, numri i kalimeve të parregullta në të gjitha rrugët e migrimit drejt Bashkimit Evropian është ulur me 36%, duke shkuar në 113,400 raste në shtatë muajt e parë të vitit.
FRONTEX vëren se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë presionin mbi popullatat afgane dhe siriane, përshkallëzimin e konflikteve në Gaza dhe krizat ekonomike në rajonet fqinje, mund të nxisin flukset e migracionit në të ardhmen.
Kufiri verior i Ballkanit Perëndimor mbetet një pikë kyçe për migrimin, dhe përforcimi i kontrollit në kufirin serbo-hungarez ka ndihmuar në frenimin e lëvizjeve drejt Hungarisë. Kontrabandistët mund të përdorin rrugë alternative, përfshirë ato midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ose Shqipërisë e Malit të Zi.
Raporti i FRONTEX-së sugjeron se menaxhimi i kufijve dhe kontrollet e përforcuara janë mënyrat më efektive për të parandaluar një rritje të mundshme të flukseve të migracionit në të ardhmen.