Një aksident rrugor tragjik në ishullin e Kretës ka shkaktuar vdekjen e tre djemve të moshave 15, 19 dhe 20 vjeç, ndërsa një 22-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacion.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës në qytetin e Chania-s, në aksin rrugor verior të Kretës.
Makina me të cilën udhëtonin katër të rinjtë është përplasur me një furgon që kishte në bord 19 pasagjerë.
Sipas raportimeve nga mediat greke dhe burime policore, dy nga të rinjtë humbën jetën në vendngjarje, ndërsa i treti ka ndërruar jetë në spitalin e Chanias, ku ishte transferuar menjëherë.
Dëshmitarët raportojnë se makina ka tentuar të parakalojë dhe ka humbur kontrollin, duke dalë në korsinë e kundërt. Ekipet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit dhe autoambulancat, kanë ndërhyrë për të shpëtuar të bllokuarit në makinë.