Një rrjet prostitucioni në Tiranë që organizohej nga dy gra kineze është goditur nga Policia e Tiranës. Në pranga ka rënë 52-vjeçarja kineze Yhong Yang banuese në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëpunëtorja e saj N.D. 38 vjeçe nga Kina banuese në Tiranë.
Nga hetimet ka rezultuar se dy tutoret kineze nëpërmjet rrjeteve sociale, rekrutonin vajza kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja N. D., e cila është në kërkim, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15000 Euro nga njëra prej vajzave të shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 4500 Euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.