Në orën 16:10 të ditës së sotme, në rrugën e fshatit Dushnik në Berat, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të drejtuar nga 46-vjeçari A. H., një person me precedentë kriminal.
Nga të shtënat, fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Policia e Beratit, Forcat Operacionale dhe Njësia Shqiponja janë angazhuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa një grup hetimor i Prokurorisë ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Kozare u gjet një automjet i djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët. Forcat e Policisë po ndjekin pista të ndryshme dhe kanë angazhuar gjithashtu shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Hetimet janë në vazhdim dhe për shkak të natyrës delikate të rastit, nuk janë publikuar më shumë detaje për momentin.