Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama për raportet me Serbinë, duke ngritur akuza të forta për mënyrën se si qeveria shqiptare po pozicionohet ndaj zhvillimeve politike në rajon.
Përmes një deklarate publike, Këlliçi ka kritikuar Ramën për mungesën e një reagimi ndaj deklaratave të një zyrtareje të qeverisë së Aleksandar Vuçiçit lidhur me Kosovën, ndërsa sipas tij, kryeministri shqiptar ka vijuar të mbajë një qëndrim pozitiv ndaj Serbisë dhe nismës së Ballkanit të Hapur.
Reagimi:
SKANDALOZE!!!
Ditën që një ministre e Vuçiçit deklaron në një intervistë se, po të ishte ajo në vend të Millosheviçit, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Edi Rama foli me simpati për presidentin serb!!!
As nuk dënoi deklaratat e zyrtares së lartë, as nuk shprehu indinjatë. Por tha se ideja e Ballkanit të Hapur ishte fantastike.
Edi Rama u asociua me Vuçiçin kur tha se kjo ide fantastike u sulmua vetëm sepse ata të dy qëndronin pas saj.
E papranueshme, skandaloze kjo qasje.
E përsëritur tashmë në 13 vite. Në shesh duhet të rrëzojmë sunduesin e Tiranës dhe binjakun e autokratit të Beogradit.
Është imperativ kombëtar!









