-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Krimi si problem publik dhe “çmenduri sociale”

Kryesoret

Këto ditët e fundit kanë ndodhur një seri e gjerë krimesh, në disa qytete e fshatra, nga veriu në jug të vendit. Një “gjeografi” e zgjeruar e krimit, që për nga sasia dhe intensiteti, përtej metaforës mjekësore, kemi gati situatën e një “bilanci lufte”. Ngjarjet përveç aspekteve politike e sociale dhe sintagmës së njohur si fenomen i “ballkanizimit të krimit”, përbën njollë me peshë konsistente sociale e kulturore që jo vetëm na turpëron, por edhe po e “ndot qytetërimin” tone. Si sociolog mendoj se tashmë “nomenklatura e krimit” në shoqërinë tonë është plotësuar me të gjitha “format e përbindshme”.

Në këto kushte, krimi është ndoshta një nga faktorët, në mos më kryesori, që shoqëria po kalon një fazë kritike të shfaqjeve të formave dhe paradigmave të neurotizmit të përgjithshëm social. Asaj po i shtohen njerëzit sadistë e kriminelë, që shfaqen në shoqëri si qenie që nuk kanë fare të bëjnë me specien sociale e humane, anormalë, që vrasin me ndërgjegje e gjak të ftohtë, duke u frymëzuar dhe udhëhequr nga pasione kriminale evidente shtazarake. Përditë përballemi me njerëz të tillë që kanë kryer krime të përbindshme. Kriminelë që vrasin gruan, nënën, babën, birin, vajzën, shokun, të dashurën, fqinjin, njeriun kalimtar e rastësor. Njerëz të tipit të “njeriut të neandertalit” dhe jo të “species humane”. Më saktë, tipa shoqërisht të neveritshëm e personalisht të rrezikshëm, ngaqë nuk janë shkëputur akoma nga trashëgimia e “sjelljes kafshërore”.

 

 

Shpeshherë në opinionin publik por edhe në media bëhen analiza të personalizuara të motiveve të kriminelëve, duke fshehur të vërtetën e shkaqeve thelbësore të fenomenit të përhapjes me intensitet të lartë të krimit në shoqëri. I cili sipas mendimit tim, është i lidhur së pari me krizën morale të shoqërisë tonë, e cila është ndoshta faktori më madhor që po e thellon situatën kriminale. Madje, tani pa frikë mund të themi, deri në kufijtë e çmendurisë sociale. Është bërë e zakonshme që pas çdo krimi kërkojmë disa arsye sikurse janë zgjerimi i sëmundjeve mendore, problemet e pronësisë, varfëria, përdorimi i zgjeruar i drogave dhe alkoolizmi, përplasja e koncepteve morale për “nderin” apo besnikërinë bashkëshortore, motivet e hakmarrjes etj.. Të gjitha këto të marra së bashku apo veç e veç janë faktorë realisht evidentë, që kanë ndikimin e tyre gjeneralist dhe specifik për krijimin e kësaj situate të intensifikuar të krimit në shoqërinë tonë, i cili ka është kthyer në një lloj “infeksioni social” që ka kapërcyer çdo kufi, duke u shfaqur si fenomen social banal dhe i masivizuar. Nuk ka pse fshihemi si “struci”, as pse mbulojmë të vërtetat reale.

Shoqërisë po i shtohet, madje po i “trashet” llumi i krimit. Faktet e kriminalitetit, sidomos ato që kanë ndodhur këto ditë, janë të tilla që si tipologji dhe morfologji plotësojnë plotësisht kushtet për të definuar idenë, se patologjia e krimit në shoqërinë tonë nuk është më një “metaforë sociale”, por një realitet social në zgjerim. Padyshim, ky fenomen social është fenomen nga më të ndërlikuarit, me të cilin po përballet ashpërsisht shoqëria jonë. Duke parë shkaqet dhe motive e personalizuara të krimit, duke analizuar deontologjinë e tyre, duket se në këtë sintezë kanë ndikimin e tyre shumë faktorë objektivë e subjektivë, me dimension social dhe të personalizuar, shkaqe komplementare me natyrë historike, kulturore, sociale e psikologjike. Duhet njohur dhe pranuar e vërteta. Krimi është bërë një nga karakteristikat e tmerrshme të kohës, ndoshta plaga më e madhe sociale që ka mbërthyer trupin e shoqërisë, që ka dobësuar së tepërmi kohezionin e strukturave sociale të saj. Vrasjet e shumta janë dukuri që dëshmojnë për zhvlerësimin e “çmimit të jetës”, duke i dhënë shoqërisë statusin e një “spitali psikiatrik”.

Në këtë kontekst, është imperative që optika e gjykimit të krimit, duhet së pari të vlerësojë karakterin, efektet retrograde dhe pasojat me polivalencë shoqërore negative. Sociologët duke parë këtë situatë të përhapjes epidemike të krimit, flasin për atë që ata e quajnë të “metat e species” njerëzore, ku rendisin së pari krimin dhe pastaj korrupsionin dhe shkeljen e ligjit. Fenomene që tashmë janë jo vetëm tipike, por dhe në zgjerim në shoqërinë tonë. Ka të drejtë intelektuali amerikan Ferid Zakaria që flet për situatën, kur krimi jo vetëm po “demokratizohet”, por edhe po bëhet si “buka e përditshme”. Po pse duhet të shqetësohemi, madje të alarmohemi për situatën realisht të agravuar të krimit në shoqërinë tonë? Si duhet t’i dalim përballë kësaj të keqeje sociale? Çfarë duhet të bëjmë për të zvogëluar përmasat e frikshme të tij, pse jo edhe për ta frenuar atë? Këto pyetje të natyrshme i bëjnë shqiptarët çdo ditë, me veten e tyre dhe me shoqërinë në tërësi. Dhe kjo është e natyrshme, sepse sipas mendimit tim, ne si shoqëri tashmë jemi në situatën kur krimi, jo vetëm është zgjeruar në sasi, intensifikuar si “cilësi”, por dhe përhapur dendur gjeografikisht kudo në qytet dhe fshat, në zona dendësisht urbane, periurbane e rurale.

Në këto rrethana duhet të jesh qytetar plotësisht i verbër, që të mos shikosh të vërtetat e jetës së përditshme, të lidhura me pasojat e zgjerimit të krimit dhe situatave që e gjenerojnë atë. Krimi sot në Shqipëri është bërë kaq dukuri sociale banale, statistikisht kaq e shumë e shpeshtë, fenomen kaq shumë i dendur, sa që në perceptimin publik e mediatik, krimet gjithnjë e më shumë po konsiderohen si gjëra të zakonshme. Madje, kanë filluar të konsiderohen jo aq si dukuri sociale anormale, por fare të natyrshme, dukuri të zakonshme, të kuptueshme, të justifikuara për tipologjinë dhe natyrën e një “shoqërie të lirë”. Kjo mënyrë jo normale të menduari, logjika e perceptimit semplist për krimin, për fat të keq ka filluar të ndikojë gjerësisht në psikologjinë tonë sociale. Një mentalitet që ka filluar të ketë forcë sociale dhe në mënyrë paradoksale, po shpie në deformimin e perceptimit qytetar të dëmeve të pallogaritshme të krimit në strukturën e jetës urbane.

Për pasojë shoqëria shqiptare, ndoshta si kurrë më parë po përballet gjerësisht, në mënyra anormale me efektet e situatave shkatërruese, destruktive të krimit, që është një nga rreziqet e mëdha, në mos nga më kryesoret dhe që duhet konsideruar si mjet që rrezikon mundësitë e përmirësimit të cilësisë së qytetërimit tonë. Në këto kushte sa nuk është vonë, është e domosdoshme të vendosen “vijat e kuqe” kundër krimit, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të shkelen nga askush. E keqja më e madhe me të cilën aktualisht po përballemi të gjithë individualisht dhe si shoqëri, është fakti se të ndodhur përballë përditshmërisë së situatave anormale, që gjenerojnë krim pa ndërprerje, duke u përshtatur me ritmikën sociale të zakonshme të kësaj dukurie, duket sikur nuk kemi shqetësimin e duhur, atë intensitet të shqetësimit social, i cili sot më shumë se kurrë duhet të jetë në nivele alarmante. Në të kundërt duket sikur gradualisht shoqëria ka filluar të mësohet, përshtatet, adaptohet dhe madje të “normalizojë jetën” e përditshme me praninë e zgjeruar të “kulturës së krimit”, pa u shqetësuar sa duhet, pa u preokupuar seriozisht nga prania tejet “bezdisëse” e kësaj dukurie sociale.

Ky është një problem social shumë serioz. Unë mendoj se gradualisht ka filluar të zgjerohet indiferentizmi social, mungesa e reagimit qytetar. Krimi ka kuptuar se e ka të lirë dorën, pikërisht në momentin kur shoqëria kthehet në “shumicë të heshtur” apo arsyeton mbi bazën e “sigurisë së budallait”, duke menduar se ngjarjet kriminale, vrasjet e përditshme nuk kanë të bëjnë me ta dhe familjen e tyre. Është tronditëse për të gjithë krijimi i kësaj situate, kur sikurse po duket, ndërsa kriminelët “kanë zë”, shumica bëhet e heshtur përballë tyre, duke marrë pozitën e “injorantit të realitetit të përditshëm”. (Nikola Sarkozy)

Personalisht mendoj, se e keqja më e madhe sociale e kësaj situate me të cilën po përballemi aktualisht është fakti që gradualisht, pa u ndjerë, fenomenet e krimit nga shumë njerëz kanë filluar të shikohen, madje edhe të interpretohen si fenomene sociale të natyrshme të lidhura me demokracinë, të pranishme në jetën normale tek çdo shoqëri moderne. Për pasojë, në jo pak raste në mënyrë formale dhe informale, krimi që është bërë masivisht kaq shqetësues për shoqërinë shqiptare, ka filluar të trajtohet me optikë sociale sempliste, të konsiderohet si shfaqje normale e pranisë së zakonshme në “shoqëritë e lira”.

Në fakt, u bënë tri dekada që në shoqërinë tonë përditë, në mënyrë të vazhdueshme po përballemi me forma të llahtarshme të krimit, tipologji të tilla të sjelljes së përbindshme, që jo vetëm e kanë bërë atë fenomen social shumë intensiv, por akoma më keq, është bërë dukuri që synon të krijojë në shoqërinë tonë klimën e adoptimit social, herë në mënyrë lineare e paqësore e herë të tjera të detyruar e me dhunë sociale, praninë dhe pranimin e kësaj të keqeje të madhe, këtij shqetësimi të përbashkët për individin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Paradoksalisht me kalimin e kohës, situata e krimit është ekzagjeruar keq.

Në mënyrë të sintetizuar, duke vlerësuar objektivisht e sociologjikisht fenomenin, duhet pranuar se situata e krimit të organizuar dhe ordiner në Shqipëri, është tejet e zymtë. Nëse këtë analizë sociale dhe sociologjike do ta bëjmë drejt, objektivisht, pa subjektivizëm dhe njëanshmëri, mund të themi se të duket sikur burimet e krimit janë në përmasa të tilla, që e bëjnë të dyshimtë ecjen tonë drejt progresit social, realizimit të normave europiane dhe standardeve sociale të qytetërimit postmodern. Besoj se duhet të “zgjohemi” nga gjumi social dhe të kuptojmë se në totalin e vet, krimi në shoqërinë tonë ka bërë që situata të jetë e tillë, nga që sasia e kriminelëve dhe cilësitë e krimit janë bërë të tilla, që kanë filluar të gërryejnë “muret e ekzistencës” dhe funksionimit normal të organizimeve kryesore të jetës sociale, familjes, qytetit, komuniteteve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, duke vënë në rrezik serioz modalitetet e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore, sigurimin e kushteve të duhura të funksionimit të paqes sociale në Shqipëri.

Ajo që është tejet shqetësuese në këto momente, që duhet të na bëjë të mendojmë mirë, lidhur me shkaqet dhe situatën e përhapjes masive të krimit, janë shfaqjet e një lloj qëndrimi pajtues, konformist të shoqëruara më një indiferencë sociale, pajtueshmërie pasive. Kjo përbën rrezik pse është një mënyrë e rafinuar, për të na bërë të përshtatemi me praninë e krimit në jetën e përditshme, duke e pasur gjithnjë pranë dhe afër nesh, madje pa shumë shqetësim social të lloj-lloj krimeve dhe kriminelëve që i kryejnë ato.

Kultura e pasivitetit, e pajtimit indiferent me këto situata është njëri nga shkaqet madhore të përhapjes intensive dhe ekstensive të krimit në shoqëri. Sondazhet sociale tregojnë se niveli social i kuptimit dhe reagimit social ndaj krimit në shoqërinë tonë është tmerrësisht i ulët. Ky është faktori që po favorizon përhapjen dhe zgjerimin e tij në familje, shkollë, ambiente publike, komunitet e kudo. Duket dhe ka një perceptim publik, që tregon se strukturat e shtetit dhe reagimi social, po bëhen të pafuqishme përballë ligësisë së krimit. Kjo është një situatë që duhet përballuar. Sepse krimi jo vetëm ndikon në “shqepjen e tegelave” të shoqërisë, por ndikon edhe në shfaqjen e “krisjeve sociale” të unitetit të shoqërisë përballë të keqes personale dhe ligësisë sociale…

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit