Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjte në afërsi të Sllatinës, në magjistralen Prishtinë-Pejë, ku një makinë është rrokullisur me pesë persona brenda.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se aksidenti ka rezultuar në dëme të rënda trupore dhe ka dyshime për pasoja fatale. Sipas informacioneve të para, shoferi i mjetit ka humbur kontrollin mbi të, çka ka shkaktuar rrokullisjen.
Për momentin, në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë, ekipi emergjent dhe zjarrfikësit, të cilët po kryejnë hetime për të zbardhur shkakun e aksidentit. Autoritetet kanë njoftuar se do të japin më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve.