Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ndodh sot në Serbi në një vizitë zyrtare. Përpara se të arrinte ka publikuar një shkrim në mediat serbe. “Rruga drejt normalizimit ruan thelbin, mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë në përputhje me ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti i tyre”, shkruan Macron.
Ai e përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit tha se mbetet i angazhuar personalisht. “Kjo rrugë është e asfaltuar: çdo gjë që e ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke marrë parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ata, ftoj Serbinë dhe të rinjtë në Serbi ta zgjedhin paqen dhe ta zgjedhin të ardhmen. Personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.
Duke e quajtur “partneritet real strategjik” bashkëpunimin që Franca po e ndërton me Serbinë, Macron shkroi se vizita e tij përbën “një mesazh besimi në të ardhmen e përbashkët” dhe e përshkroi atë si “mënyrën më e mirë për ta ushqyer dhe thelluar miqësinë tonë kaq të çmuar”.
Macron apeloi që Serbia ta bëjë një “angazhim vendimtar” për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke thënë se “ka shqetësime dhe lodhje, veçanërisht në lidhje me ritmin e negociatave të anëtarësimit, por ndonjëherë një lloj pakënaqësie, madje edhe mosbesimi në lidhje me Bashkimin Europian”, për të cilat tha se “e kanë burimin në historinë më të re dhe në kujtimet kontradiktore”.
Kujtimet, tha ai “nuk duhet t’i shpërqendrojnë qytetarët e Serbisë nga ajo që është e dukshme: vendi i tyre është në Europë, përkrah Francës – e cila kujdeset jo më pak se Serbia për veçantinë e historisë dhe kulturës së saj – në atë komunitet që është i vetmi vend ku do të jemi në gjendje të mbrojmë me të vërtetë vlerat që ndajmë”. Macron e quajti Serbinë “një vend të madh qendror të këtij rajoni që është i aftë jo vetëm të jetë ndërtuesi kryesor i së ardhmes së pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon”.
“Unë po vij sërish në Serbi me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij duhet ta kenë një Serbi të fortë dhe demokratike nën krahun e tyre, dhe Serbisë i duhet një Bashkimi Europian i fortë dhe sovran për t’i mbrojtur dhe promovuar interesat e saj, duke respektuar identitetin e saj”, shkroi presidenti francez.
Macron në Serbi: Zgjidhni paqen, guxim për kompromis me Kosovën