SPAK po kryen një hetim të thelluar mbi pasuritë dhe financat e Fondacionit të Liri Berishës, i cili është zyrtarisht i dedikuar për ndihmën e fëmijëve autikë.
Hetimi përfshin analizën e të ardhurave dhe shpenzimeve të fondacionit, duke përfshirë donacionet dhe blerjet e bëra, si dhe investimet për blerjen e një vile në zonën e ish-liqenit të Farkës, e cila përdoret si seli e fondacionit. Sipas informacioneve të mbledhura, SPAK po heton nëse këto fonde janë përdorur në mënyrë të dyshimtë.
Fondacioni i Liri Berishës ka qenë në qendër të kritikave mediatike në të kaluarën, sidomos për çmimet e larta të veprave të artit të blera gjatë një darke bamirësie në Tiranë, kur kryeministër ishte Sali Berisha.
Blerjet e këtyre veprave për shuma të jashtëzakonshme ishin parë si potenciale për maskimin e dhuratave në formë bamirësie, dhe dyshohet se këto blerje janë përdorur për të favorizuar politikisht fondacionin dhe familjen Berisha.
Hetimet për familjen Berisha, të cilat janë nisur nga SPAK për herë të parë, po përfshijnë gjithashtu analiza të pasurive të tjera të familjes, përfshirë toka dhe apartamente të vajzës Argitës, dhëndrrit Jamarberit dhe djalit Shkëlzen.
Hetimi gjithashtu shqyrton transaksione të dyshimta lidhur me ndërtimin e resortit dhe vilës në Gjirin e Lalzit, të cilat kanë ndodhur në periudhën kur Sali Berisha ka dhënë leje ndërtimi për ndërtuesin e këtyre pronave./ Report Tv