Gazment Bardhi, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka prezantuar një nismë në Komisionin e Ligjeve që synon të rrisë pensionin minimal në 300 euro deri në vitin 2029.
Bardhi argumenton se kjo masë është e nevojshme për të siguruar një trajtim dinjitoz për pensionistët dhe për të reflektuar një shoqëri të emancipuar. Ai theksoi se qeveria shqiptare ka kapacitetin financiar për këtë rritje, për sa kohë që fondet e qytetarëve do të administrohen në mënyrë të drejtë dhe jo për lukse apo tendera.
“Ndërhyrja në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme me qëllim që në 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 300 euro.
Qeveria shqiptare i ka mundësitë financiare në rast se shpenzimet nuk shkojnë për lukse zyrash e tendera që pasurojnë oligarkët. Kjo mund të ndodh nëqoftëse parat e qytetarëve mirë administrohen dhe nuk shkojnë për fatura që i fut ne xhep Belinda Balluku dhe shokët e saj të partisë ”, u shpreh Bardhi.
Nisma përfshin gjithashtu heqjen e afatit kohor për tërheqjen e pensionit, duke lejuar që pensionistët të tërheqin fondet e tyre në çdo moment që dëshirojnë.