Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në tubim u ndal te beteja që ndodhi sot në Parlament. Berisha e nisi me një përshëndetje të zjarrtë për deputetët demokratë dhe u shpreh që sot kanë nisur betejën e pandalshme dhe i dhanë një përgjigje të merituar Edi Ramës.
“Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj. Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja. Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës”, tha ai.
Më tej Berisha theksoi se “Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona”.