Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas përjashtimit të 24 deputetëve nga Parlamenti pas kaosit të krijuar disa ditë më parë në Parlament.
Gjekmarkaj thotë që ky vendim tregon frikë, dëshpërim dhe urrejtje ndaj opozitës.
“Bindja “paternaliste” se “unë” kam të “drejtë” dhe bëj ç’të dua, dhunoj, ndëshkoj dhe me pas rrah gjoksin, është shenjë e qartë e degradimit të këtij Kuvendi dhe mbi të gjitha e kësaj qeverisjeje që pasi ta shtron me korrupsion të mbulon me burgosje politike! Turp për kolegët kukulla të PS-së që kaq padënjesisht përdoren. Pushteti në çdo rast është i përkohshëm, jeta më e gjatë, turpi i përjetshëm! Ju lutem mos na buzëqeshni më si “shpirt njeriu” kur të na takoni kolegë të përdorur”, shprehet deputeti.
Më pas ai vijon të thotë që “Edhe rregullorja e dhunës e miratuar pak kohë me parë si represion ndaj opozitës nuk ka objekt sepse nuk jemi në ato kushte për dënime të tilla 40-60! Hakmarrje dhe jo ndëshkim sipas ligjit! Dënim pa ligj si në diktaturë! E keni në traditën e eterve shuarjen e opozitarizmit! Shqiptarët nuk do ju lejojnë! Nga e hëna fillon përballja çdo ditë e kudo!”