Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, është zotuar të premten se vendi i tij do ta mbështesë Kievin me një paketë të re ushtarake në vlerë 1.4 miliard euro kah fundi i këtij viti.
Scholz, i cili u takua të premten në Berlin me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, tha se ndihma e re ushtarake përfshirë kundërajrorë, tanke, artileri dhe dronë.
Ndihma do t’i dhurohet bashkërisht me vendet partnere, Belgjikën, Danimarkën dhe Norvegjinë.
“Ky është mesazh i qartë për [presidentin rus Vladimir] Putin: të blesh kohë nuk funksionon. Ne nuk do ta kufizojmë mbështetjen për Ukrainën”, tha Scholz.
Zelensky është në një turne në Evropë ku synon ta paraqesë para vendeve aleate “planin e fitores” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe për të kërkuar leje për përdorimin e armëve të aleatëve për sulme thellë brenda Rusisë.
Buxheti i Gjermanisë për këtë vit parasheh gati 7.5 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa plani i buxhetit të vitit të ardhshëm parasheh rreth 4 miliardë euro.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky (majtas) me kryeministrin britanik, Keir Starmer në Britani. Fotografi e 18 korrikut.
SHIKONI EDHE:
Zelensky nis turne evropian për të rritur mbështetjen para dimrit
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL