-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Justinian Topulli: A i urrejnë shqiptarët Turqinë dhe turqit?

Kryesoret

Sa herë që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan viziton Shqipërinë, mediat tona gëlojnë nga debatet rreth fjalëve dhe deklaratave apo kërkesave që ai bën, duke vënë alarmin e cenimit të sovranitetit të Shqipërisë, a thua se SHBA dhe BE nuk bëjnë të njëjtën gjë këtu, por jo me të njëjtën gjuhë atipike publike që bën presidenti turk! Por më shumë se sa deklaratat atipike të njohura në arenën ndërkombëtare të presidentit turk, shumë nga elitat tona politike dhe jo vetëm, kanë një urrejtje patologjike ndaj vetë Turqisë dhe prezencës së saj në Shqipëri. Sigurisht që kjo antipati e një pjese të elitës shqiptare, buron nga arsye të ndryshme, që shumë do të thoshin historike. Në fakt histeria anti-turke buron kryesisht nga motive fetare, pra nga ata që kanë urrejtje ndaj fesë së turqve, Islamit, për arsye të përkatësisë së tyre fetare, por edhe për shkak të edukimit historik ku mësohet se koha e sundimit osman ka qenë një kohë e pushtimit të dhunshëm në të cilën ai na keqtrajtoi, na la të prapambetur, na konvertoi me dhunë në fenë e tij dhe bëri njëmijë e një të zeza të tjera.

Historiografia e Shqipërisë, sidomos gjatë periudhës gjysmë shekullore të komunizmit, por edhe letërsia dhe arti, sidomos ai kinematografik, e kanë përshkruar sundimit pesë shekullor osman si e keqja më e madhe që ka kapluar ndonjëherë trojet shqiptare. Është pikërisht kjo narrativë dhe ky diskurs anti-osman dhe anti-turk ai që e ka ngulitur më së shumti në mendjen e shumë shqiptarëve, sidomos politikbërësve dhe në qarqet kulturore dhe akademike, këtë urrejtje ndaj Turqisë dhe jo vetë realiteti historik.

Në kohën kur sistemi politik karakterizohej nga sundimi i perandorive shumë etnike, mbretërive dhe principatave vasale dhe nuk ekzistonte as koncepti i shtetit komb, sundimi dhe pushteti osman ishte si shumë të tjerë, me të mirat dhe këqijat e tij, ashtu si sot pushteti që na qeveris ka të mirat dhe këqijat e tij. Shqiptarët jetë e mot, edhe në kohën e sundimit osman lokalisht janë qeverisur nga soji i tyre edhe pse qeverisja qendrore në qendër të perandorisë që i përkisnim mund të ishte e një etnie tjetër. Por shqiptarët si asnjëherë tjetër në historinë e tyre të gjatë nën perandori dhe vasalitete të ndryshme, nuk kanë pasur aq shumë udhëheqës të lartë në qendër të perandorisë dhe jo vetëm, duke qeverisur edhe vende të tjera, saç kanë pasur në periudhën e sundimit osman. Edhe pse ky është një fakt historik që historiografia jonë nuk e mohon, ajo ua atribuon në mënyrë absurde dhe aspak objektive këtë realitet vetëm aftësisë vetjake të shqiptarëve! A thua se nuk ishin po këta shqiptarë të njëjtë në natyrë dhe aftësi edhe nën perandoritë e tjera paraardhëse?!

Këtu nuk duam të rendisim elementet pozitiv historik të bashkëjetesës së gjatë që na lidhin ne me Turqinë si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Dovletit Osman, për të mos qenë të njëanshëm dhe nxitur në mendjen e atyre që na lexojnë të përmendin anët negative të këtij sundimi, gjë gjithsesi projektohen më së shumti jo thjesht nga ajo çfarë ka ndodhur në realitet, por nga epoka e sotme dhe nga përshtypje ideologjike moderne, me të cilat shihet dhe projektohet e shkuara jonë osmane. Imazhi dhe ngjyrimet me të cilat është përshkruar sundimi osman nuk është domosdoshmërish ndjesia e vërtetë që kanë pasur vetë shqiptarët në atë periudhë, që në fakt është e kundërta. Kjo ndjesi u projektua fillimisht nga elitat intelektuale dhe politike gjatë periudhës së rilindjes kombëtare, si mjet pragmatik dhe propagandistik, për të krijuar kombin dhe shtetin shqiptar dhe u thellua më tej pas ekzistencës së shtetit shqiptar, sidomos në kohën e diktaturës komuniste. Por edhe pse ky diskurs tejet negativ apo më së shumti i tillë, qe ligjërimi dominues në rang elitash, ai nuk arriti kurrë të zhbënte në memorien e shumicës së shqiptarëve të thjeshtë ndjenjën e simpatisë dhe dashamirësisë për turqit dhe Turqinë.

Edhe pas krijimit të shtetit shqiptar dhe luftës që shqiptarët bën për pavarësi kundër osmanëve dhe shovinistëve fqinjë, ky acarim historik me turqit nuk çoi në ndonjë urrejtje permanente mes shqiptarëve dhe turqve, siç çoi bie fjala me fqinjët. Përkundrazi gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar marrëdhëniet politike me Turqinë kanë qenë të mira, pavarësisht se kush vinte në pushtet këtu apo atje. Turqia ka qenë nga vendet ku shqiptarët që herët udhëtojnë lirshëm dhe pa viza dhe ku ata ndjehen si në vendin e tyre dhe ku nuk ndjehen aspak të paragjykuar, përkundrazi, madje  edhe nëse nuk janë muslimanë. Po kështu me gjithë propagandën anti-osmane dhe anti-turke shqiptarët në shumicën e tyre nuk kanë ndjerë urrejtje për turqit dhe Turqinë, ndërkohë që për fqinjët shovinistë nuk kanë të njëjtën ndjesi. Nëse maskara dhe raprezalje ndaj shqiptarëve kanë bërë edhe osmanët edhe fqinjët sllavë e grekë, përse shumica e shqiptarëve kanë urrejtje apo edhe antipati ndaj këtyre të fundit më së shumti, ndërkohë që për shkak të “pushtimit” pesëshekullor do të duhet të urrenin më shumë turqit dhe Turqinë?!

Nga një anketim i zhvilluar në rang kombëtar nga fondacioni gjerman Friedrich-Ebert për çështjet e sigurisë dhe publikuar në Qershor 2024, rezulton se Turqia zë vendin e dytë pas SHBA (me 78%) që tek të anketuarit  shqiptarë perceptohet si vend me ndikim pozitiv dhe shumë pozitiv me rreth 77,1 % të tyre, ndërsa vetëm 18.1% janë neutral dhe 4.6 % mendojnë se ajo ka ndikim negativ. Kjo tregon se shumica e shqiptarëve, pavarësisht narrativës negative që historiografia dhe arti ynë bashkëkohor ka projektuar ndaj Turqisë dhe turqve, nuk kanë ruajtur në memorien e tyre historike dhe as nga marrëdhëniet e sotme ndonjë antipati apo urrejtje për ta.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit