Opozita protestoi sot sërish përpara bashkisë së Tiranës kundër Erion Veliajt, që njoftoi po ditën e sotme se ka larguar 12 drejtorë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e vendosi theksin tek arrestimi i Ilir Metës, që e cilësoi politik duke thënë se vijat e kuqe janë kaluar.
“Një përshëndetje për presidentin e PL që po na ndjek. Rrëmbimi i presidentit nga kjo bandë terroriste nuk është gje tjetër veçse kapitullim pa kushte i reformës në drejtësi. Është e qartë që arrestimet politike i udhëron Edi Rama.
Është e qartë që burgosja politike e Presidentit të PL, e liderit të PD është bërë pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi. Madje më e rëndë akoma, edhe më ironik është fakti që këto akuza janë ngritur mbi krime që ka bërë vetë Edi Rama.
Vijat e kuqe janë kaluar dhe është koha e aksionit. Është koha të organizohemi më shumë se kurrë. I bëj thirrje këtyre horrave që i kanë futur në burg për të provokuar Ilir Metën. Mos na provokoni t’ju japim një përgjigje si shqiptar. Dhe ju e dini përgjigjen që i japim armiqve të këtij vendi”, tha ai.