Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi i ftuar në Open tha se opozita nuk lejohet të kryejë rolin e saj në Kuvend. Ai tha se pjesa më e madhe e deputetëve demokratë është përjashtuar pa ligj, pasi ‘Kushtetuesja’ e ka shfuqizuar pikën e rregullores, për të cilën ligjvënësit e opozitës u përjashtuan dy muaj.
Bardhi u shpreh se kur të kthehet Kushtetueshmëria në Kuvend, opozita do të luajë rolin e saj.
“Nuk e kuptova madje as faktin sepse Ambasadori i BE-së erdhi në Kuvend, por siç duket ishte diçka e përgatitur nga Elisa Spiropali. Ishte një kurth i përgatitur qoftë ndaj deputetëve të opozitës, ashtu edhe ndaj Ambasadorit, pasi mendohej se do të kishte një incident mes ligjvënësve dhe diplomatit”, tha Bardhi.
Ai u shpreh se deputetët e PD-së hapën rrugën, por kam përshtypjen që u keqpërdor përfaqësuesi i BE-së në Tiranë.
“Ishin përgatitur lajmet që deputetët e PD-së i penguan hyrjen në Kuvend ambasadorit të BE-së, ndaj edhe po të shikoni pamjet u tentua që të hynte në sallë nga hyrja tjetër”, tha Bardhi.