Kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetje nga emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët këtë vit do të votojnë për herë të parë nga vendi ku jetojnë. Ai shprehu synimin e tij për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian me të drejta të plota deri në vitin 2030, duke ngritur flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në Bruksel.
Gjatë takimit me shqiptarët në Selanik, Rama theksoi rëndësinë e votës së emigrantëve, duke theksuar se ata kanë tani mundësinë të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai tha “Sot ju jeni votues që për herë të parë do merrni pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë duke gëzuar të drejtën të votoni këtu ku jeni nga shtëpia juaj. Ju e dini më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me të gjithë shokët e mi të ramëve, për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, të cilin nuk e mbajtëm dot për një kohë jo të shkurtër se pa marrë edhe votat e palës tjetër për ligjin e zgjedhjeve ishte e pamundur,.
Tanimë ua them me plot gojën, se në pranverën e ardhshme u kërkoj votën tuaj nga Greqia, për ta bërë Shqipërinë, e 2030 anëtare me të drejta të plota në BE. Për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju shqiptarët e Europës i kenë dhënë familjeve tuaja, mundësinë që të përfitojë nga të gjitha të mirat e të jetuarit brenda familjes së BE. Për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë, me ju në Greqi, shqiptarët e europës dhe të Amerikës, ta ngremë flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në Bruksel brenda kësaj dekade”.