Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk ka mbajtur kurrë një qëndrim antiamerikan dhe se beson në një Perëndim të bashkuar, duke theksuar rëndësinë e unitetit mes aleatëve perëndimorë në një kohë tensionesh ndërkombëtare.
Në një intervistë për grupin televiziv Mediaset, Meloni u shpreh se qëndrimi i saj politik ka qenë i qëndrueshëm në kohë, duke theksuar se marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të bazohen mbi ndershmëri dhe bashkëpunim të fortë.
“Nuk kam mbajtur një qëndrim antiamerikan sot, nuk kam qenë e nënshtruar dje. Jam një person që beson se Perëndimi është më i fortë kur është i bashkuar”, deklaroi Meloni.
Ajo komentoi gjithashtu zhvillimet brenda NATO-s dhe raportimet mbi aktivitetet ushtarake në bazën e Sigonellës, duke theksuar se disa informacione mund të jenë keqinterpretuar dhe se duhet treguar kujdes në komunikimin publik të çështjeve të sigurisë.
Meloni u ndal edhe te politika e brendshme italiane, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës në vitin 2029, duke mos përjashtuar mundësinë e ndryshimeve të rëndësishme në balancat politike të vendit.
/5pyetjet.al









