Liderët evropianë u takuan në Budapest në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe në vazhdën e zgjedhjes së Donald Trump. Udhëheqësit evropianë i kanë bërë thirrje Donald Trump që të shmangë luftërat tregtare, të ruajë mbështetjen për Ukrainën dhe të shmangë prishjen e rendit botëror pas fitores së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Siç shkruan Reuters: “Fitorja e Trump është një sfidë e madhe për Evropën, duke hapur një epokë pasigurie të madhe, ndërkohë që kontinenti tashmë po lufton për unitet dhe dy fuqitë e tij më të mëdha, Gjermania – qeveria e së cilës sapo është shpërbërë – dhe Franca, janë dobësuar.
“Marrëdhëniet e Trump me homologët e tij evropianë kanë qenë prej kohësh të tensionuara gjatë mandatit të tij të parë dhe kthimi i tij në pushtet sjell pasiguri për mbështetjen e SHBA për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë, përkushtimin e SHBA ndaj aleancës ushtarake të NATO-s dhe perspektivën e tarifave për eksportet në SHBA.
Çfarë thanë Michel dhe Von der Leyen
“Unë i besoj shoqërisë amerikane” tha shefi i Këshillit Evropian Charles Michel, ndërsa ai dhe të tjerët i kërkuan Trumpit të vazhdojë të mbështesë Ukrainën duke ardhur në samit.
“Ata e dinë se është në interesin e tyre më të mirë të jenë vendimtarë kur angazhohemi me regjime autoritare. Nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin të dobëta në marrëdhëniet e tyre me Rusinë, çfarë do të thoshte kjo për Kinën?”.
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se tani i takon Bashkimit Evropian të jetë i bashkuar. Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk mund të menaxhojë i vetëm sfidat e ardhshme, tha ajo.
Në lidhje me Ukrainën, tha: “Është në të gjithë interesat tona që ‘perandorët’ e kësaj bote të marrin një mesazh shumë të qartë se nuk është e drejta për pushtet, por sundimi i ligjit.
Mikpritësi i samitit, kryeministri hungarez Viktor Orbán është një nga aleatët e paktë të ngushtë të Trump në mesin e liderëve evropianë dhe ka thënë se do të hapte shampanjën nëse Trump fitonte. Në fakt, Reuters raporton se diplomatët spekuluan se Orban mund të ndërmjetësonte një mënyrë që Trump t’u drejtohej udhëheqësve evropianë përmes video-telefonatave.
Në të njëjtën kohë, liderë të tjerë shprehën drejtpërdrejt shqetësimet e tyre për Trump. “Presidenti Trump është i njohur, ndonjëherë i paparashikueshëm, ai ka një shkallë të paqëndrueshmërisë, kështu që ne kemi nevojë për një dialog”, tha kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden. “Ne do të ndjekim dialogun, por nuk do të braktisim parimet tona”.
Macron shpërtheu: Të mbrojmë interesat tona kundër SHBA-së dhe Kinës
Dhe presidenti francez Emmanuel Macron sulmoi Donald Trump: “Ne nuk duhet t’ia besojmë sigurinë tonë Amerikës përgjithmonë” tha ai, duke argumentuar se Donald Trump do të mbronte në mënyrë legjitime “interesat e popullit amerikan” dhe vazhdoi me një pyetje: A jemi ne gati për të mbrojtur interesat e popujve evropianë?”.
Në deklaratën e tij, presidenti francez u bëri thirrje evropianëve të mbrojnë interesat e tyre kundër SHBA-së dhe Kinës dhe vuri në dukje se duhet “veprim” për të “mbrojtur” interesat kombëtare dhe evropiane, për të “mbrojtur” “interesat ekonomike dhe strategjike”.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mendojë për veten “si një forcë e pavarur” dhe “të rimarrë kontrollin”. Në një pikë tjetër ai tha se “ky është një moment historik, për ne evropianët, që është vendimtar.
Në thelb, pyetja që na bëhet është: a duam të lexojmë historinë që shkruajnë të tjerët, luftërat që po bën Vladimir Putin, zgjedhjet amerikane, zgjedhjet që kinezët bëjnë teknologjikisht apo komercialisht? Apo duam të shkruajmë historinë? Mendoj se kemi fuqinë ta shkruajmë”.
Kryeministri i Finlandës Petteri Orpo tha se ishte i shqetësuar për perspektivën e një lufte tregtare: “Ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë” tha ai. “Tani le të përpiqemi të ndikojmë në politikën e ardhshme të SHBA-së dhe Trump, në mënyrë që ai të kuptojë rreziqet që na presin”.
Në vazhdën e asaj që ndodhi mbrëmë në Gjermani, me rënien e koalicionit qeverisës, presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metzola tha: “Një gjë është e sigurt, Evropa nuk është e fortë pa një Gjermani të fortë”.