Kanë kaluar më shumë se 10 ditë dhe nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin me 4 viktima në Shkodër. Kjo, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tregon se pas është shteti. Ish-kryeministri deklaroi se masakra është kryer nga grupi i Bajrave, të cilët sipas tij do t’i garantojnë Edi Ramës një mandat në Shkodër.
“Që ditën e parë, informova shqiptarët se kjo ishte një masakër me licencë qeveritare të Edi Ramës sepse banda Bajri është banda, e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të bashkisë dhe i është betuar Edi Ramës se do i garantojë mandatin në Shkodër me dhunë dhe terror.
Banda Bajri në kundërshpërblim për shërbimet kriminale që i bën Edi Ramës, qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë sipas gjuhës së tyre, terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin. Kur unë deklarova se pjesëmarrëse në këtë masakër është Policia e Shtetit, Mondi, i cili u duhej atyre sipas regjistrimeve për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës.
Por nuk është vetëm Mondi. Mondi tjetër në krye të ministrisë është një përfaqësues i njërës prej bandave më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, i Troplinëve. Ai është emëruar aty nga banda e Troplinëve për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të ortakëve të tyre në Shqipëri. Kurse Mondi tjetër famëzi në krye të polici, i implikuar në trafiqe, por edhe në vrasje siç flitet rëndom, përfaqëson bandën e Elbasanit” tha ai.