Jam i bindur, nëse Komisioni Parlamentar i Sterilizimit do të mblidhej para një viti, sjellja e deputetëve të opozitës do të ishte krejt ndryshe. Nuk do të kishte këtë agresivitet të turpshëm, nganjëherë pa skaj, ku fytyra e meskinitetit mbulohej nga dhuna e pa shembull.
Jam, po ashtu, i bindur, nëse zgjedhjet politike do të ishin pas dy a tri viteve, as ish presidenti Meta nuk do të arrestohej në atë mënyrë, që i ngjante një rrëmbimi bandit, që nuk ka të bëjë aspak me përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe respektimin e ligjit.
Jam krejt i qartë se, nëse nuk do të kishim vitin e ardhshëm zgjedhjet e reja politike, atëherë vendi do të ishte më i qetë, deputetët nuk do të digjnin karriget në sheshin para Kuvendit, një deputet i opozitës nuk do të sakrifikonte xhaketën e tij të shtrenjtë e as nuk do të vishej me rroba burgu, ashtu si shumica qeverisëse do të ishte më e hapur, do të kishte ndjenjën e tolerancës më të spikatur, edhe në ato raste kur gjërat ta bien në majë të hundës.
Në fund të fundit, megjithëse duket e pa menduar, edhe krimi nuk do të kishte qenë në këtë revansh hakmarrës, me vrasje në shumë cepa të Shqipërisë, pasi, një vëmendje e kujdesshme do të kishte vënë re se gjithnjë, muajt e fundit drejt zgjedhjeve politike kanë pasur më shumë hapësirë për akte të rënda, vrasje, rrëmbime personash, vjedhje, grabitje, përleshje bandash, ashtu si edhe është rritur edhe qarkullimi i drogave.
Përse tërbohen deputetët në pragun e zgjedhjeve të reja politike?
Në politikën shqiptare prej viteve sundon dhuna, jo mendja. Të jesh i mençur në sallën e Kuvendit është një përjashtim nga rregulli. Është një çështje tabu. Të jesh idealist as nuk mund të merret me mend. Të flasësh për ndjenjën kombëtare është krejt e besuar se më shumë se gjysma e parlamentit do të nënqeshë me cinizëm. Shumë prej tyre kanë ardhur në parlament jo nga mendimi dhe vizioni, por nga pasuria, e fituar nuk e di askush se si, dhe nga dhuna, e përdorur marrëzisht, por që ka pasur efektin e saj në politikë.
Tërbimi i tyre ka lidhje me dy gjëra kryesore:
Së pari, për shefat e tyre nuk është e rëndësishme se si mendon njëri apo tjetri, por sa i devotshëm është të zbatojë atë që ka thënë shefi. Ajo është kryefjala e jetës së tyre politike, pas së cilës, në shumë raste fshihen ose shfaqen përfitime financiare.
Pak janë në parlament prej atyre që kanë hyrë për të bërë Shqipërinë, shumë e shohin atë si mundësia e artë për të qenë në “ lojën e politikës”, të rëndësishëm , dhe, njëkohësisht, përfitues. Pra, për të bërë veten.
Një shembull : në parlament janë miratuar gjithë farë lloj ligjesh, disa nga të cilët, në vite të ndryshme, kanë qenë antikushtetues, janë rikthyer, ose, disa kohë më pas është hequr dorë prej tyre.
Deputetët e kanë ditur se ligjet e miratuara janë të prapështa. Si për shembull, për investitorët strategjikë ose për PPP e famshme. Por i kanë miratuar dhe janë treguar entuziastë. Kur janë kthyer pas, përsëri , në të njëjtën formë, entuziastë, i kanë kundërshtuar.
Deputetët e pakët që kanë votuar në kundërshtim me dëshirën e forcës së tyre politike, kur ajo ka qenë në pushtet, janë shumë të rrallë, dhe, megjithëse mendimi tyre ekonomik dhe financiar ka qenë më i vlefshëm se gjithë të çjerrat bashkë të kolegëve të tyre, ajo që është mbajtur në mendje ka qenë çjerrja e jo mendja.
Duke mos pasur ide të veta, ata duhet të dëshmojnë besnikëri. Këtë e bëjnë përmes dhunës. Ajo që ndodhi në Komisionin parlamentar, e pak më pas, me deklaratat për kërcënim jete ishin ndër ato budallallëqet që turpërojnë parlamentin.
Së dyti, që tani ka filluar lufta për të qenë në listën e deputetëve të ardhshëm. Është e vështirë të jesh në listë përmes mendjes. Është më e lehtë përmes dhunës. Duhet të dëshmosh besnikëri. Vizioni për të ardhmen, ekonominë, financat, shoqërinë nuk janë më të rëndësishme. Misioni për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa ka humbur.
E rëndësishme është të jenë në listë. Për të qenë aty. Të paktën në dukjen e jashtme.
Nëse nuk dëshmon besnikëri është e vështirë të jesh i besuar. Dhuna ndaj shumicës apo ndaj opozitës është shenjë besnikërie. Shefat duan këtë, ata nuk kanë nevojë për mendjen tënde. Të duan të heshtur ndaj tyre dhe të dhunshëm ndaj të tjerëve.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, njëra ndër marrëveshjet e turpshme të politikës, që ktheu kultin e individit brenda forcës politike, duke i dhënë atij frymëmarrje dhe asfiksuar mendimin e lirë, ka bërë që shefi i partisë të jetë autokrati i partisë.
Listat e deputetëve, sidomos në vendet e quajtura të sigurta, janë në dorën e tij. Nuk mund të bësh asgjë që ka lidhje me mendjen. Si kanë paguar të panjohur për të qenë në vendet e para të listës së Bashës, ose të dëshmosh dhunë dhe forcë fizike. Edhe pse bëhesh qesharak, si rasti i një deputetë që iu u “ ferra Brahim”, dhe këllëfi i një arme iu duk se ia vendosën në ballë.
Vini re një dukuri interesante: ata që janë më të dhunshëm, më të ashpër, të gatshëm të sajojnë skena rrëqethëse, edhe kur nuk ka asgjë të tillë, janë shumë nga deputetët e rinj, të cilët nuk e dinë nëse do të jenë përsëri në atë sallë.
Në opozitë, të shumtët janë nga klani Basha. Pasi e braktisën atë dhe u afruan me Foltoren u duhen më shumë shenja besnikërie. Duhet të jenë më të ngjashëm me figurën e krijuar në vite nga lideri i tyre, atë të njeriut që bën gjëmën, nuk bën kompromis dhe është i gatshëm të përleshet.
Të jeni të bindur, këto do e braktisin të parët anijen e Foltores, nëse do të ketë një humbje të re në vitin 2025.
A nuk mund të jenë, të paktën më të arsyeshëm, sepse shumë prej tyre më të mençur e kanë vështirë të bëhen.
Vendi do të ishte më i qetë, njerëzit më të sigurte dhe krimi më i tërhequr.
Nuk e di kur do e kemi një parlament dinjitar, kjo është enigma që nuk do e zgjidhë dot as vitit 2025.
Ajo që ndodhi në rastin Beqaj, edhe sikur ai të jetë mëkatari i mëkatarëve, dëshmon se rruga do të jetë e gjatë, shumë e gjatë. Zakonisht dinjiteti nuk blihet!