Portieri shqiptar Alen Sherri ka pasur një fillim të shkëlqyer në Seria A, ku debutoi ndaj Milanit më 9 nëntor, një sfidë që përfundoi me barazimin 3-3. Pas këtij debutimi, Sherri u grumbullua nga Kombëtarja për Ligën e Kombeve dhe tashmë është projektuar nga trajneri i Kaljarit, David Nikola, që të jetë titullar në ndeshjen e radhës ndaj Xhenoas.
Kaljari do të përballet me Xhenoan në një ndeshje delikate të dielën, ku të dyja skuadrat ndodhen në vendet e fundit të Seria A, respektivisht në pozitat 16 dhe 17. Për këtë ndeshje, Sherri pritet të jetë pjesë e formacionit, duke kërkuar të mbajë portën e tij të paprekur dhe të ndihmojë ekipin të mbledhë pikët e nevojshme për të shpëtuar nga rreziku i rënies nga kategoria.