Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar Ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e policisë që të mos prekin protestuesit e opozitës më 26 nëntor. Gjatë një takimi me drejtuesit politikë të qarqeve, Berisha theksoi se protesta duhet të jetë një “triufm i revoltës” dhe bëri thirrje për një mobilizim të madh qytetar.
Ai e quajti protestën një mundësi për të treguar që opozita është shumicë dhe që narkodiktatura nuk ka të ardhme në Shqipëri. Po ashtu, ai paralajmëroi që çdo veprim kundër protestuesve do të ketë pasoja të rënda për ata që janë përgjegjës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre.
Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë.
Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme.
Ajo mbahet tani nga organet e dhunës.
Një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit.
Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar.
Edhe njëherë, i them përfaqësuesit, bastardit të familjes Hoxha dhe përfaqësuesit të bandës së Troplinëve, mos ndërse narkobanditë kundër qytetarëve se do paguash çmimin më të shtrenjtë.
Nuk mund të mbani pushtetin me banda. Jo dhe jo.
Sirenat për narkodiktaturën në Shqipëri po bien në të katër anët e planetit.
Është detyra jonë dhe ne do e përmbushim këtë detyrë.
Ndaj dhe sipas planit të caktuar, Tirana në duart e qytetarëve të revoltuar.
Kemi tre ditë kohe, janë të mjaftueshme jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por për shqiptarët në të katër anët e dheut të vërshojnë drejt Tiranës.
Nuk do zgjatem më shumë.
Ju uroj suksese.
Të qëndrojmë në lartësinë e thirrjes së kohës.
Koha na thërret!
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë!
Faleminderit!