Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”, raporton transmetuesi shtetëror serb, RTS.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e akuzuan menjëherë Serbinë se ka gisht në këtë sulm. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Por, Vuçiç, duke i komentuar këto akuza gjatë një bisede me të rinjtë në tribunën e Partisë Progresive të Serbisë: “Të rinjtë e Serbisë, kurthet dhe mundësitë”, i hodhi poshtë akuzat.
Ai i këshilloi ata të mos marrin vendime nën trysni, duke treguar gjoja pse Serbia nuk reagoi menjëherë pas akuzave të Prishtinës.
“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha ai.
Më herët, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
Ai tha se Serbia kërkon që të mbahen përgjegjës kryerësit e këtij sulmi dhe se është e gatshëm të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.