-sidi education-spot_img
32 C
Tirana
-sidi education-spot_img

SHBA: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cënueshme ndaj ndikimeve të jashtme

Kryesoret

Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme për aq kohë sa nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme, vlerëson ish-komandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Rusia nuk ka interes ta shohë Kosovën si një shtet të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, ndërsa thekson se prania e KFOR-it mbetet një “spirancë e stabilitetit”.

Hodges flet edhe për transformimin e synuar të NATO-s pas samitit në Ankara, rritjen e rolit të Evropës në mbrojtje, kërcënimet hibride nga Rusia dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do ta ndryshojnë përgatitjen e Aleancës për konfliktet e së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Hodges, cili mendoni se ishte mesazhi më i rëndësishëm strategjik që doli nga samiti i NATO-s në Ankara?

Ben Hodges: Mesazhi më i rëndësishëm është gjithmonë uniteti i aleancës.

Natyrisht, shumë shqetësohen se presidenti [i SHBA-së, Donald] Trump do të vijë dhe do ta prishë këtë unitet. Në fillim, ai e bëri disi, duke rikthyer çështjen e Grenlandës, duke kritikuar Spanjën dhe gjëra të ngjashme. Por, në fund të samitit, tha se salla ishte e mbushur me dashuri dhe se aty kishte njerëz vërtet të mirë.

Mendoj se është e rëndësishme që samiti përfundoi me një ton të tillë dhe që ai u largua me një qasje shumë më pozitive.

Prandaj, ruajtja e unitetit të aleancës mbetet gjithmonë prioriteti kryesor në samite të tilla.

Së dyti, ishte shumë me rëndësi edhe demonstrimi i investimeve evropiane në mbrojtje, si dhe i Kanadasë. Të gjitha njoftimet e bëra gjatë ditëve të fundit flasin për para dhe kapacitete reale ushtarake. Ky ishte një zhvillim shumë pozitiv.

Dhe, në fund, mbështetja për Ukrainën. Jo vetëm toni i deklaratave, por edhe njoftimi për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar interceptorët Patriot, raketat PAC-3.

Do të shohim nëse kjo do të realizohet. Shpresoj që po, edhe pse mbetem skeptik, sepse presidenti Trump nuk ka qenë vazhdimisht mbështetës i fortë i Ukrainës. Por, shpresoj që këtë herë të bëhet fjalë për një angazhim të vërtetë.

Një NATO më e bashkuar, me një Evropë më të fortë

Radio Evropa e Lirë: Deklarata flet për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Në aspektin praktik, a sinjalizon kjo një ndarje të re të përgjegjësive ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara?

Ben Hodges: Po, e sinjalizon një gjë të tillë dhe unë nuk kam problem me këtë, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara nuk ia kthejnë shpinën Evropës.

Parandalimi bërthamor është, natyrisht, shumë i rëndësishëm. Por, ai duhet të plotësohet edhe nga një prani konvencionale amerikane, qoftë përmes fuqisë ajrore, detare dhe tokësore apo shkëmbimit të inteligjencës. Pra, nuk mund të jetë thjesht: ‘Ju i keni armët bërthamore, ne po largohemi’. Kjo nuk do të ishte e dobishme.

Megjithatë, transferimi i një pjese më të madhe të përgjegjësive për parandalimin konvencional tek aleatët evropianë, ka kuptim.

Dhe, nuk duhet harruar Kanadaja, e cila shpesh lihet disi në hije në këto diskutime. Ajo është duke rritur kontributin e saj në aleancë, dhe kjo është e nevojshme për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe cilësisë së burrave dhe grave në forcat e saj të armatosura. Edhe Kanadaja është një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen, duke vazhduar njëkohësisht të bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin. Sa i rëndësishëm është ky ndryshim për të ardhmen e sigurisë transatlantike?

Ben Hodges: Gjëja më rëndësishme është angazhimi i vazhdueshëm i të 32 vendeve anëtare të Aleancës ndaj mbrojtjes kolektive. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Gjithmonë do të ketë dinamika mes aleatëve, mosmarrëveshje apo tensione për arsye të ndryshme. Ashtu siç ndodh edhe brenda Bashkimit Evropian, ku ka debate për migracionin, politikat financiare, vizat apo çështje të tjera. Kjo është e natyrshme.

Por, përkushtimi i të gjitha vendeve ndaj njëra-tjetrës për mbrojtjen kolektive, është themeli i Aleancës.

Dhe, natyrisht, mënyra më e mirë për t’i mbrojtur vendet e NATO-s nga një sulm i mundshëm rus, është të sigurohet që Ukraina të ketë sukses. Prandaj, mbështetja për Ukrainën mbetet një pjesë thelbësore e mbrojtjes dhe sigurisë së përgjithshme të Aleancës.

Lufta e së ardhmes: Dronë dhe inteligjencë artificiale

Radio Evropa e Lirë: NATO-ja po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi inteligjencës artificiale, kapaciteteve kibernetike, mbrojtjes raketore, sistemeve pa ekuipazh… Sa shumë po e ndryshon kjo mënyrën se si Aleanca përgatitet për konfliktet e së ardhmes?

Ben Hodges: Mendoj se Nisma për Parandalimin në Krahun Lindor është një nga qasjet më moderne ndaj parandalimit dhe mbrojtjes. Ajo nuk i zëvendëson elementet tradicionale, si forcat tokësore, pengesat apo minat, por i plotëson ato.

Përgjatë gjithë krahut lindor të NATO-s, nga veriu i Finlandës deri në Detin e Zi, po ndërtohet një sistem i integruar. Nuk do ta quaja “mur”, sepse nuk e përshkruan saktë, por është një kombinim i të gjitha kapaciteteve që i përmendët, të lidhura në një rrjet, që rrit ndjeshëm shpejtësinë me të cilën komandantët identifikojnë kërcënimet, marrin vendime dhe reagojnë ndaj tyre.

Kjo është një përshtatje e rëndësishme dhe një hap përpara në përdorimin e teknologjive të reja.

Mendoj se një pjesë e madhe e kësaj është nxitur nga ajo që kemi parë në Ukrainë. Atje është krijuar një lloj “zone e vdekjes” që shtrihet në një pjesë të madhe të territorit, ku forcat ruse, deri tani, nuk kanë arritur të depërtojnë, për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe aftësisë për të goditur me mijëra dronë.

Besoj se Aleanca ka mësuar nga kjo përvojë dhe po i zbaton këto mësime duke i kombinuar me kapacitete të tjera. Ky është një zhvillim pozitiv.

Megjithatë, vazhdon të ekzistojë një mangësi e madhe në mbrojtjen ajrore dhe raketore. Ne ende nuk jemi të përgatitur ta mbrojmë gjithë infrastrukturën tonë kritike të transportit nga sulmet – të ngjashme me ato që Ukraina përjeton pothuajse çdo natë./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit