-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Avokatët e Trump kërkojnë pushimin e çështjes së falsifikimit të të dhënave të biznesit

Kryesoret

Avokatët e presidentit të zgjedhur Donald Trump i kërkuan zyrtarisht një gjykatësi të hënën të rrëzojë vendimin për shpalljen fajtor lidhur me një pagesë për një aktore të filmave pronografikë në këmbim të heshtjes së saj për një marrëdhënie intime, duke argumentuar se vazhdimi i çështjes do të paraqiste “pengesë jokushtetuese për institucionin e Presidencës”.

Në një dosje të bërë publike të martën, avokatët e zotit Trump i thanë gjykatësit të Manhattanit, Juan M. Merchan, se pushimi i çështjes është i garantuar për shkak të “mandatit të qartë që i është dhënë zotit Trump nga populli amerikan më 5 nëntor 2024”.

Ata cituan gjithashtu faljen e fundit të Presidentit Joe Biden për djalin e tij, Hunter Biden, i cili ishte shpallur fajtor lidhur me akuzat për evazion fiskal dhe shkelje të ligjit për armëmbajtje.

“Presidenti Biden pohoi se ndjekja ‘penale e djalit të tij ishte seleksionuese dhe e padrejtë’ dhe ai u ‘trajtua ndryshe’,” thuhet në dokumentin e shkruar nga ekipi ligjor i zotit Trump. Prokurori i qarkut të Manhatanit, pretenduan ata, ishte angazhuar në të njëjtin lloj të teatrit politik “që Presidenti Biden e dënoi.”

Prokurorët do të kenë kohë të përgjigjen deri më 9 dhjetor. Ata kanë thënë se do të luftojnë çdo përpjekje për të pushuar çështjen, por kanë treguar një gatishmëri për të shtyrë dënimin deri pas përfundimit të mandatit të dytë të zotit Trump në 2029. Në paraqitjen e tyre të hënën, avokatët e zotit Trump hodhën poshtë idenë e pezullimit të dënimit deri pas mbarimit të mandatit të zotit Trump, duke e quajtur atë një “sugjerim qesharak”.

Pas fitores së zotit Trumpit në zgjedhje muajin e kaluar, Merchan ndërpreu procedurat dhe shtyu për një kohë të pacaktuar dënimin e tij, të planifikuar më parë për në fund të nëntorit, për të lejuar mbrojtjen dhe prokurorinë të shqyrtojnë alternativat mbi të ardhmen e çështjes. Ai gjithashtu shtyu një vendim mbi kërkesën e mëparshme të zotit Trump për të pushuar çështjen për arsye imuniteti.

Zoti Trump ka luftuar prej muajsh për të ndryshuar vendimin, që e nxorri atë fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj mbi një marrëdhënie seksuale që ata kishin pasur një dekadë më parë. Zoti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se ky proces gjyqësor, ashtu si edhe tre çështjet e tjera penale ndaj tij, janë të motivuara politikisht.

Pushimi i çështjes, thanë avokatët, do ta lejonte Presidentin e zgjedhur Donald Trump që “t’i kushtojë të gjithë energjinë mbrojtjes së vendit”.

Në muajin maj, zoti Trump u bë ish-presidenti i parë amerikan i shpallur fajtor për vepra penale, në një gjykatë në Nju Jork.

Pushimi i çështjes do të fshinte vendimin historik ndaj zotit Trump, duke i kursyer atij renë e një dosjeje penale dhe dënimin e mundshëm me burg. Donald Trump është Presidenti i parë i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara që është gjetur fajtor për një krim. Ai e fillon mandatin më 20 janar. Me kërkesë të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, tashmë janë pushuar dy çështje të tjera ligjore ndaj zotit Trump, njëra për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 dhe tjetra për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit