Dy autobusë me pasagjerë emigrantë shqiptarë që udhëtonin nga Greqia në Shqipëri janë mbajtur të bllokuar për pesë orë në hyrje të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, me arsyetimin e kontrabandës së vajit të ullirit dhe cigareve. Pasagjerët, kryesisht nga veriu i Shqipërisë, janë shprehur të revoltuar, pasi nuk morën asnjë shpjegim nga policia, duke kërkuar që të vijonin udhëtimin.
Policia po kryen hetime në lidhje me një sasi të vogël produktesh, të cilat sipas pasagjerëve, ishin blerë për përdorim personal, dhe nuk tejkalonin kufijtë e deklarimit doganor.
Pasagjerët kanë theksuar se kishin vetëm disa bidonë me vaj ulliri dhe disa steka cigareje. Megjithatë, policia po kryen veprime hetimore me Krimin Ekonomik dhe Antidrogën, por ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar për rastin.