Kryeministri Edi Rama sot ka folur për herë të parë për projektin e Zvërnecit që solli përplasje të forta në fundjavë. Ai tha se pas projektit, që është shumica në tokë privat dhe jo shtet, është dhëndri i Presidentit Trump. Tha se u “mahnit” nga deklarata e Athinës zyrtare.
“Ku ndryshon historia? Projekti ka nisur si interesim nga investitorët në 2023-shin dhe ka nisur si një interesim bashkë me Sazanin dhe qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë; Sazani është tokë publike, ka qenë një dëshirë dhe ambicie e qeverive të tjera për ta kthyer në destinacion turistik. Ne jemi gati të punojmë me ju dhe ajo tokë nuk shitet dhe që shteti shqiptar të jetë palë, ortak, shteti shqiptar.
Ndërsa për Zvërnecin duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi ne nuk kemi tokë shtet aty dhe copëza që mund të jenë shtet janë krejtësisht papërfillshme për ambicien tuaj, prandaj merruni me pronarët. Ky është fillimi 2023. Ju e dini shumë mirë kush janë njerëzit e interesuar se e di e gjithë bota. Bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar projektin, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë prandaj edhe projekti ka pasur që sapo ka dalë fjala, interesin e mediave amerikane dhe europiane por me axhendë për të gjetur gjilpëra në kashtë dhe prandaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri dhe mjedis.
Ne kemi mbrojtur interesin tuaj. Kam parë imazhe të projektit, pallate, ku i keni gjetur? Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare dhe ju është kthyer mbrapsht. Negociatat dhe transaksionet me pronarët janë cështje mes palëve dhe ne nuk kemi hyrë. Ne jemi të fokusuar tek Sazani për shkak se nuk kanë përfunduar negociatat. Rrethimi i pronës është bërë bazuar tek leja e zhvillimit që nuk është leje ndërtimi. Për herë të parë dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke, nuk e kisha dëgjuar.
U mahnita nga deklarata e ministrisë së Jashtme greke. Ishte një akt dhune, por nuk ishte akt dhune sikur ka ndodhur me shqiptarët në burgjet e Greqisë apo rrugët e Greqisë me shqiptarët. Dhe që të ngrihet shteti në këmbë dhe të nënvizojë etninë e protestuesit nuk i shërben marrëdhënieve tona. Pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata sepse titujt e pronësisë janë baza e cdo veprimtarie” tha ai.









