Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim ndaj kryebashkiakut të Devollit, Eduard Duro, dhe katër zyrtarëve të tjerë të bashkisë për shpërdorim detyre. Ata akuzohen për dhënien e lejeve dhe autorizimeve në kundërshtim me ligjin për stacionin e karburantit “Genci Petrol” në Devoll, Kapshticë.
Sipas SPAK, shkeljet e konstatuara datojnë që nga viti 2015, kur administratori i atëhershëm i njësisë Qendër Bilisht, Vojsava Bregu, ka dhënë leje për shoqërinë “Genci Petrol” për tregtimin e karburanteve pa pasur dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Më pas, në vitin 2020, kryebashkiaku Eduard Duro dhe disa zyrtarë të tjerë të bashkisë i kanë pajisur ata me një autorizim të dytë, gjithashtu në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.