Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë parë aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit të kamotshëm atje.
Luftëtarët besohet se janë grupuar në një njësit shqipfolës brenda koalicionit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe aleatë të saj, të cilët në fillim të dhjetorit, çuan në rrëzimin e pushtetit të presidentit Bashar al-Assad.
“Xhemati Alban” është emri me të cilin grupi i luftëtarëve shqiptarë e ka identifikuar veten në publik, veçanërisht në rrjete sociale.
Shqiptarët, megjithatë, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël në mesin e qindra luftëtarëve të huaj në radhët e grupit rebel që mori pushtetin. Vetë HTS-ja dhe grupet aleate, besohet të kenë rreth 10 mijë luftëtarë në total.
Ajo është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe më parë ka qenë e lidhur me Al-Kaidën. Me marrjen e pushtetit rishtazi, kjo aleancë është zotuar për tolerancë dhe gjithëpërfshirje, ndonëse ka shqetësime për lidhjet e tyre me grupe terroriste.
Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, thotë se ky grup ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër si Xhemati Alban, por komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër Xhemati Alban (Lexo KETU shkrimin e plote).