Arratisja e Grubit shkaktoi përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Partia opozitare thotë se disponon me informacione se largimi i Artan Grubit nga shteti është bërë me marrëveshje politike midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Sipas LSDM-së ekzistojnë më shumë indikacione për marrëveshje mes partive dhe për lëshime të shumta nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë VMRO- ja kërkoi nga BDI-ja dhe LSDM-ja që të deklarohen për arratisjen e Grubit, nëse e mbështesin ose jo. Sipas kësaj partie është për keqardhje tentimi i Grubit për të bërë pazare me drejtësinë me qëllim që të shmang paraburgimin.
“Në bazë të informacioneve që i kemi dhe i marrim nga informatorët MPB kishte vendosur kontroll policor në rrethrrotullimin në Bllacë ditën kur Grubi e ka lëshuar vendin. Kontrolli atje ka qenë më së paku 3 ditë. Kjo tregon qartë se ata kanë pasur dyshime se mund të ketë arratisje. Por, sipas informacioneve tona kontrolli policor nuk e ka ditur kë pret ose kë duhet ta ndalojë. Ata kanë marrë informacione vetëm pasi Grubi e ka lëshuar vendin. Kjo dëshmon qartë dy skenarë të mundshëm, ose kanë qenë tërësisht të paaftë ta pengojnë, ose e dyta që është mëse e mundur qëllimisht nuk e kanë ndaluar”, deklaroi Martin Kostovski, LSDM.
“BDI-ja duhet të tregojë nëse e mbështet arratisjen e kriminelit të listës së zezë të SHBA-së, Grubi. LSD si shërbyes besnik gjithashtu duhet të tregojë nëse e mbështet arratisjen e Grubit. Është e turpshme se si Grubi tenton të bëjë pazare me Gjykatën nëse do të shkojë në paraburgim ose jo. Edhe përkundër faktit që është i vetëdijshëm për kriminalitetin e bërë, edhe përkundër faktit që është ndërkombëtarisht i njohur si i korruptuar dhe kriminel ai megjithatë dëshiron të bëjë pazar me drejtësinë. Është mëse e qartë se Grubi nuk ka asnjë gram moral e as përgjegjësi pasi u arratis në vend që të ballafaqohet me argumentet para Gjykatës”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE. /Alsat.mk