Numri i të vdekurve si pasojë e një sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjes në qytetin gjerman Magdeburg, është rritur në pesë të shtunën, njoftoi guvernatori i landit.
Guvernatori i landit të Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff, tha se mbi 200 njerëz të tjerë janë lënduar, shumë prej tyre rëndë, kur një burrë saudit i shkeli qëllimshëm njerëzit me veturën e tij BMW në tregun e Krishtlindjes të premten mbrëma.
Burri saudit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje, si i dyshuar për shtypjen e njerëzve për këtë sulm.
Policia nuk e ka komentuar të shtunën numrin e raportuar të viktimave. Të premten, zyrtarët vendës njoftuan se të paktën dy njerëz u vranë dhe paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.
Gazeta gjermane Bild raportoi se 41 njerëz u lënduan rëndë, 86 janë duke u mjekuar për lëndime të rënda dhe 78 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Kancelari Scholz thotë se është e rëndësishme “që ne të hetojmë me detaje dhe saktësi të madhe atë që ka ndodhur”. Ai thotë se autoritetet do të hetojnë autorin “në thellësi”.