Reshjet e dëborës kanë përfshirë të gjithë qarkun e Korçës gjatë natës së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit. Në lartësitë mbi 900 metra, dëbora ka arritur një trashësi prej 20 cm në Dardhë dhe 15 cm në zona të tjera. Edhe pse të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të përdorin goma dimërore për siguri.
Përveç reshjeve, temperatura ka rënë ndjeshëm, duke shkuar deri në -5°C në Dardhë. Si pasojë e kushteve atmosferike, 384 familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa grupet e punës të OSHEE janë në terren për të riparuar defektet dhe rikthyer energjinë.
Aktualisht ka një ndërprerje të reshjeve në Qarkun e Korçës, por temperaturat e ulëta vazhdojnë të mbeten në disa zona.