Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se viti 2025 do të jetë viti i fitores për opozitën. Gjatë një takimi me degën 7 në Tiranë, ai theksoi se PD ka mbrojtur interesat kombëtare dhe ka paraqitur një program që do t’i japë përgjigje emergjente varfërisë që po përjetojnë shqiptarët.
Berisha kritikoi qeverinë, duke e quajtur atë një “ngrehinë të kalbur” dhe një “organizatë kriminale” që ka dështuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
“Sot para cdo shqiptari ne paraqitemi avoketër të interesave të tij. Ne kemi mbrojtur interesin kombëtar që është interesi i parë i çdo njeriu të qytetëruar. Ne kemi bërë gjithçka për të mbrojtur pasuritë nga një lukuni, që i shpërndan midis klaneve të vetë.
Ne po paraqesim para shqiptarëve një program dhe projekt, i cili i jep përgjigje emergjente kësaj situate varfërie të frikshme, e cila largon shqiptarët çdo ditë.
Këto janë faktorët që shumë njerëz duan ta quajnë vitin 2024, si vitin e opozitës, por ne preferojmë të quajnë vitin 2025, si vitin e fitores tonë”, tha Berisha.
Më tej ish kryeministri u shpreh se përballë opozita ka një ngrehinë të kalbur.
“Kemi një regjim të kalbur nga koka tek këmbët. Ato që ju dëgjoni këto ditë, për kryevjedhësin e kryeqytetit ato janë realitet po kaq i trishte për organizatën kriminale që quhet qeveri”, tha Berisha.