-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Balluku: Në 2025 do të punojmë për të hapur kantiere të reja

Kryesoret

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku me anë të një postimi në rrjetin social në facebook ka ndarë një mesazh urimi për vitin e ri 2025.

Balluku ka përmendur arritjet e vitit  2024, si dhe zbuloi disa detaje për 2025. Ajo u shpreh se do të vijojnë punën për të përmbyllur punën në disa kantiere.

“Në vitin 2024 kemi shënuar gurë kilometrik për infrastrukturën.

Hapja e tunelit të Llogarasë, një nga ëndrrat në sirtarë të të gjitha qeverive, u realizua në vitin 2024 nga qeveria Rama. Gjithashtu, patëm mundësi që të nisim punën dhe të dorëzojmë një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Blu. Thumanë-Kashar ka filluar të jetë në përdorim nga fundi i qershorit të vitit 2024, duke u pasuar më pas me lidhjen e kontratave për tre segmentet e tjera të këtij Korridori dhe hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e segmentit Milot-Balldren, i shumëpritur nga Shkodra dhe nga Lezha.

Nga ana tjetër, duhet të themi që shumë punë të mira do të bëhen dhe në vitin 2025. Kemi një kantier, i cili është një nga kantieret më të rëndësishme, ai i Korridorit të VIII-të, aty ku punohet për të ndërtuar një ndërlidhje e cila do të jetë ajo që do t’i japë frymëmarrje, jo vetëm Shqipërisë, por dhe vendeve të tjera të rajonit. Dhe ky Korridor i VIII-të do të jetë i lidhur me portin e ri të ndërtuar në Porto-Romano, gara e të cilit, një garë ndërkombëtare, tashmë është e hapur. Porto-Romano, porti i ri i shqiptarëve do t’i shërbejë Kosovës edhe Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu do të jetë edhe një port sigurie, pasi aty parashikohet ndërtimi i një baze ushtarake të NATO-s.

Energjia ka bërë hapa të qenësishëm gjatë vitit 2024, për herë të parë ndërmarrjet tona kanë arritur që të kenë bilance pozitive, të mirëmenaxhuara. Të mirëmenaxhuara në aspektin teknik, duke ofruar kushte më të mira të shpërndarjes energjetike apo të transmetimit, por nga ana tjetër, ka dhe një arritje shumë të rëndësishme gjatë vitit 2024, stabilizim i financave të këtyre ekonomive, duke na dhënë mundësi që gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët.

Gjithashtu, kemi ulur humbjet teknike në nivelin 17.93, duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësuar kështu uljen e këtij çmimi të energjisë. Gjithashtu, kemi arritur që gjatë sezonit veror të përballojmë flukse dhe kërkesë për energji elektrike të paparashikuar dhe të paparë ndonjëherë. Megjithatë, sistemi ka punuar më së miri falë punës së jashtëzakonshme që kanë bërë të gjithë punonjësit e OSHEE-së, apo edhe ato të OST-së.

Lajme të mira, si ato të fundvitit do të kemi plotë gjatë vitit 2025, ashtu si Tirana u rrethua nga një unazë infrastrukturore moderne që plotëson të gjitha kushtet dhe parametrat e kriteret e Bashkimit Europian, ashtu do të vazhdojmë të punojmë në të gjithë vendin, për të përmbyllur të gjitha kantieret që tashmë kanë nisur nga puna apo për të hapur kantieret e reja, të cilat do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër, në një nivel europian, ashtu siç kemi premtuar, ashtu siç jemi duke bërë me punën tonë çdo ditë.” tha Balluku.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit