Policia ka arrestuar 46-vjeçarin, i cili akuzohet se ka fshehur automjetin e dy vëllezërve, autorët e një atentati të dështuar në Berat më 2 janar, ku ata qëlluan me armë në drejtim të dy shokëve. I arrestuari, identifikuar si E.D., tentoi të largohej nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Kakavijës, por u kap gjatë përpjekjeve për t’u arratisur.
Hetimet tregojnë se 46-vjeçari kishte fshehur një automjet tip “Ford”, nga i cili dyshohet se janë kryer të shtënat nga vëllezërit F.M. dhe M.M., në lagjen “Donika Kastrioti”. Ata qëlluan në drejtim të dy shtetasve, A.M. dhe A.Dh., por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në banesat e vëllezërve, u gjet një armë kallashnikov dhe disa fishekë. Hetimet vijojnë për të kapur autorët e shpallur në kërkim dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen.