-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Franca ”mban” por jo gjatë

Kryesoret

Siç dihet, me 4 dhjetor 2024, Kryeministri francez Michel Barnier humbi votëbesimin në Parlament, duke rënë bashkë me qeverinë e tij, më jetëshkurtëra në historinë e 80 viteve të fundit të këtij vendi! 

Kësisoj, “jelekshpëtimi“ i Presidentit Macron, siç konsiderohej koalicioni me Partinë Republikane, e cila në zgjedhjet e parakohshme të muajit korrik siguroi vetëm 6,5 për qind të votave ose 46 vende në Parlament nuk funksionoi as 100 ditë, ndonëse me një kryeministër të mirënjohur pro-europian, si Michel Barnier, ish Kryenegociator i BE-së për BREXIT.

Pa vonesë, më 13 Dhjetor 2024, Presidenti Macron emëroi Kryeministrin e ri, personalitet të mirënjohur të qendrës, François Bayrou, Kryetar i Lëvizjes Demokrate (Modem) i cili mbas takimeve me të gjithë krerët e partive politike, në prag të Krishtlindeve shpalli përbërjen e qeverisë së re franceze. Krahas disa ministrave të mëparshëm, aty janë dhe dy ish kryeministra të njohur. Synimi tani është që ajo të sigurojë mbështetjen e shumicës parlamentare, mision tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur kur sheh peisazhin parlamentar francez. Por dhe Bayrou ka hasur në shumë kundërshtime dhe pengesa; liderët e forcave të tjera politike akuzojnë Presidentin Macron, se duke emëruar njeriun që në 7 vitet e fundit « ka mbajtur timonin » nga ana e tij kërkon thjesht të fitojë kohë dhe të zvarritë agoninë politike dhe pa një bashkëpunim të sinqertë me ta.

Në fakt, Presidenti Macron po bën çmos për ta shtyrë sa më shumë problemin duke sfiduar kundërshtarët politikë, të cilët i kërkojnë dorëheqjen, derisa të vijë momenti i përshtatshëm përzgjedhjet e reja të parakohshme; këto të fundit, sipas ligjit zgjedhor francez nuk mund të zhvillohen përpara muajit korrik 2025.

Macron është me të drejtë i vendosur të mos e japë dorëheqjen;më  4 Janar dhe parardhësi i tij, ish Presidenti socialist François  Hollandë u shpreh kundër kësaj dorëheqjeje, mbasi ajo do ta zhyste vendin në një kaos dhe udhëkryq akoma më të madh, me pasoja të paparashikueshme dhe të pariparueshme.

Macron synon që deri atëhere sipas logos «  tërhiq e mos e këput » të forcojë pozitat e veta, të lodhë dhe të dobësojë kundërshtarët, me shpresë se kështu do të përmirësojë imazhin e tij të cënuar rëndë gjatë 6 muajve të fundit, për të patur një dinamikë të re politike premtuese deri në korrik 2025. Shqetësimi i madh këtu është se kjo mund të shkaktojë vonesa të tjera me pasoja në të gjithafushat, për Francën dhe BE-në.

Në këto kushte dhe rrethana politike, vështirësitë e jashtëzakonshme që po hasen për krijimin e një koalicioni tëqëndrueshëm me shumicë parlamentare kanë krijuar natyrshëm ndjenja frike dhe pasigurie në qarqet politike, ekonomike, financiare dhe mediatike  në Francë  dhe në metropolet e tjera europiane.

Kjo bëhet dhe më e dukshme nisur nga  gjendja  e tanishme plot rreziqe dhe kërcënime hibride në Europë dhe në botë, me përshkallëzimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, me dinamikat e reja në Lindjen e Mesme mbas rrëzimit të rregjimit gjakatar tëAssadit dhe me sfidat e mëdha në atë rajon shpërthyes gjeostrategjik; duke përfshirë Ballkanin Perendimor të trazuar me rreziqe dhe kërcënime serioze; në një kohë kur pritet me shumë interes hyrja në Shtëpinë e Bardhë të Administratës së re të Presidentit Trump dhe kur  sapo kanë hyrë në zyrat e tyre drejtuesit e rinj më të lartë të BE-së; dhe, jo më pak e rëndësishmja, kur Gjermania, aleatja më e ngushtë e Francës,  më 23 Shkurt 2025 do të shkojë dhe ajo në zgjedhjet e reja të parakohshme, me probleme dhe pikpyetje të mëdha me pasoja për boshtin/motorrin e funksionimit të gjithë BE-së, etj.

Droja, frika dhe pasiguritë e lart përmendura në Parisin zyrtar janë të kuptueshme dhe të ligjshme dhe për faktin se tani më asnjë nga partitë kryesorë franceze nuk ka shumicën parlamentare si para 4 viteve. Vërtet që këtë shumicë, madje bindëse e përbëjnë ekstremii majtë dhe i djathtë, por bashkimi i tyre është për fat të mirë mision i pamundur, për shkak të papajtueshmërive politike. Këtë shumicë mund ta krijojnë dhe Partia e Presidentit Macron me të majtët, por sërish deri tani ato janë të papajtueshme edhe pse mundësitë të paktën teorike për një aleancë të tillë shpëtimtare nuk mungojnë. Për fat të keq, as centristët e Macronit dhe republikanët, që dikur « bënin ligjin» në vend nuk e formojnë më dot këtë shumicë.

Ja pse, e vetmja mundësi për mbijetesën e koalicionit të tanishëm qeveritar mbetet arritja e konsensusit politik midis Makronistëve dhe të Majtës së Bashkuar, natyrisht me lëshimet përkatëse, sa për ta shtyrë deri në zgjedhjet e parakohshme në korrik, për t’i ngushtuar hapësirën e veprimit « Tubimit Kombëtar «  të Le Penit.

Nisur nga shqetësimet e  lartpërmendura serioze, më poshtë pondalemi në pasojat për Francën dhe më gjerë në BE  lidhur me mundësinë e përfshirjes së saj në një krizë apo dhe faliment të madh financiar; e ngjashme për nga përmasat me krizat financiare që goditën Greqinë, Italianë dhe Portugalinë në vitet 2007 – 2010. Për shkak dhe të nivelit të lartë të huasë shtetërore në Europë, kriza e borxheve sipas shumë ekspertëve mund të jetë vetëm çështje kohe.

Le ta theksojmë fort se pa nënvleftësuar kursesi këto rreziqe, ekpertët në përgjithësi bien dakord se tani për tani atje nuk ka vend për frikë apo panik, sepse Franca « mban» për ca kohë; kjo sepse për shkaqet dhe faktorët e mëposhtëm, gjendja e sotme në Francë dhe në Europë nuk krahasohet me atë të viteve 2007 – 2015.

Së pari, gjendja ekonomike në Francë është shumë më e mirë se ajo në Europën Jugore në vitet 2010 kur kriza goditi disa vende,duke i çuar në recesion dhe rritje të nivelit të papunësisë. Gjendja u rëndua dhe më shumë në vitet 2018 – 2023 për shkak të COVID – 19, krizës energjitike dhe mbas agresionit rus kundër Ukrainës.Megjithatë, Franca i kapërceu ato relativisht më mirë dhe papasoja të mëdha.

Veç kësaj, vitet e fundit Franca ka patur sukses në tërheqjen e investitorëve të shumtë të huaj, ajo ka rritur novacionin dhe nivelin e punësimit. Sa për anën strukturore, sipas ekspertëve, Franca ia kalon dhe Gjermanisë pararojë;  kjo dhe për faktin se industria në Francë, ndryshe nga Gjermania luan  rol shumë më të vogël në ekonominë e vendit; po ashtu vartësia e saj nga lëndët djegëse fosile dhe energjia ruse  është shumë më e vogël se në Gjermani.

Dallimi tjetër i dukshëm është stabiliteti thelbësisht më i madh financiar i Francës dhe në gjithë Europën. Në 10 vitet e fundit, bankat europiane kanë siguruar mbrojtjen e tyre nga rreziqet dhe kanë shtuar ndjeshëm pjesën e vet të kapitalit. Gjithashtu aktualisht Europa ka krijuar dhe vënë në funksionim mekanizma mbrojës më të mirë financiarë nga kriza të mundshme borxhesh.

Shkaku tjetër i gjendjes së tanishme më të mirë të Francës është kuota e pranueshme e huasë shtetërore, si raport midis huave shtetërore dhe performancës ekonomike çka shmang dëmtimin afat-gjatë nga huamarrjet, edhe pse në disa vende europiane huatë shtetërore janë më të larta se para 10 viteve. Po ashtu, shlyerja e përqindjeve të interesit është në raport të drejtë me mbledhjen e tatimeve.

Dhe në këtë fushë, Franca bashkë me vende të tjera europiane sot është shumë më mirë se 10 vjet më parë; kur barra e interesit ishteshumë më e lartë dhe  përqindjet e tij janë ulur ndjeshëm. Po ashtu është zgjatur periudha e shlyerjes së huave shtetërore. Kjo do të thotë se pagesat e interesit për to, pavarësisht nga kuota e tyre nuk i kalojnë “tavanet“ e përcaktuar, madje ato janë në nivele tëzakonshme.

Shkaku i katërt dhe ndoshta më i rëndësishmi është se Franca ka institucione me performancë të shkëlqyer. Padyshim që institucionet shtetërore dhe të pavarura franceze janë në gjendje t’i zbatojnë me shpejtësi dhe cilësinë e duhur reformat e nevojshme, sidomos për sa kohë sa ajo do të ketë qeveri pa kriza afat – gjatë.

Shkaku i fundit por jo më pak i rëndësishmi është se Europa dhe Franca sot janë shumë më të përgatitura për të përballuar kriza të tilla borxhesh dhe financiare. Ato kanë mekanizma të sigurta përshmangien e spekulimeve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Veçanërisht Banka Qendrore Europiane ( BQE) mbas fjalimit të famshëm më 12 korrik 2012 të ish drejtorit të saj emblematik, Mario Draghi “Whatever It Takes“ ( Do bëjmë gjithçka) ka ndikuar ndjeshëm në shmangien e veprimeve spekulative dhe garantimin e stabilitetit financiar  në çdo rast. Mbas vitit 2012, edhe BQE- ja i ka përshtatur më mirë instrumentat e saj dhe sot tregjet financiare janë të bindura se ajo e mban fjalën.

Veç argumentave të lartpërmendura, investitorët dhe tregjet financiare janë të bindur se nuk do të kenë shqetësime lidhur me financimin e borxheve shtetërore në Europë. Ndryshe, nëse do të kishte dyshime në këtë drejtim, kjo do të ishte ndjerë në lëvizje dhe tronditjet në bursa dhe në tregje financiare.

Megjithatë, asgjë nuk mund të përjashtohet, sidomos nëse nuk merren masa për kapërcimin sa më shpejt të krizës së tanishmeqeveritare dhe politike. Për këtë qëllim, për Francën janë vendimtarë tre faktorë : zgjidhja sa më parë e krizës politike, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeveritar me shumicë bindëse parlamentare dhe miratimi i buxhetit të vendit për vitin 2025, në mënyrë që deficiti shtetëror të vijë duke u ulur. E dyta,duhet rifituar besimi publik se vendi do tregojë impulse zhvillimi, duke ofruar kësisoj shpresë dhe optimizëm.

Dhe e treta, duhet rritur bashkëpunimi me Europën, sidomos mes Francës dhe Gjermanisë, për të përballuar çdo efekt të mundshëmnga politikat e Presidentit Trump dhe Kina si dhe për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme gjeopolitike.

Ndaj, edhe pse ka plot sfida dhe probleme, mundësia e një krize tëre borxhi në Europë dhe në Francë nuk bën pjesë në hallet dhe telashet më urgjente.

Ndryshon puna nëse dhe mbas zgjedhjeve të parakohshme që ka shumë të ngjarë të zhvillohen në në verë, nuk do të arrihet tëkrijohet një koalicion qeveritar me shumicë bindëse, i aftë për të qeverisur Francën në mënyrë të qëndrueshme. Atëhere dhe Franca do të rrezikojë seriozisht të bëhet e paqeverisshme, çka do të provokonte reagime negative në gjithë zinxhirin e saj institucional, në ekonominë e vendit dhe në krizën e rëndë të borxheve.

Kjo krizë e re financiare do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për Francën, por dhe për BE-në; sepse Franca është promotore e saj; bashkë me Gjermaninë, e cila gjithashtu po «lëngon nën ethet» e zgjedhjeve të parakohshme më 23 Shkurt përbëjnë« boshtin» e funksionimit të BE-së. Ato janë një « duet politik dhe institucional » që jeta e ka treguar se shmangin çdo « duel » dhe i pazëvendësueshëm me asnjë duo apo dhe trio tjetër Europiane. Ndikime negative politike, ekonomike dhe institucionale do të kishte dhe në Ballkanin Perendimor, ku Franca& Gjermania janë tejet të angazhuara me dosje madhore tematike, si Procesi iBerlinit, Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, Anëtarësimi nëBE, etj.

Gjithsesi, tani për tani le të presim votëbesimin e qeverisë së re franceze, me shpresë se ajo do të jetë më jetëgjatë, që të paktën të mbijetojë deri në verë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit