Në ceremoninë e organizuar për 112-vjetorin e Policisë së Shtetit, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se qyteti i Tiranës ka arritur të jetë një nga kryeqytetet më të sigurta në Evropë, si për vendasit ashtu edhe për turistët, falë përpjekjeve të Policisë së Shtetit.
“Kush punon për policinë e Qarkut të Tiranës e ka akoma më të vështirë detyrën sepse këtu jeton një popullsi shumë më e madhe se sa në qarqet e tjera. Do të duhet të pranojmë gjithashtu, se Policia e Shtetit ka pasur ndoshta hovin më cilësor në këto vite të fundit. Unë e di që ne ndonjëherë pak ia themi të mirat njëri-tjetrit dhe pak i themi njëri-tjetrit sa krenar jemi dhe sa shumë e vlerësojmë punën e njeri-tjetrit, mezi na del fjala e mirë, por unë jam këtu për të thënë pikërisht këtë: sot Policia e Shtetit e ka kthyer Tiranën një nga kryeqytetet më të sigurta në Evropë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj vlerësoi gjithashtu se mikro-kriminaliteti është në nivele të ulëta, sipas statistikave të Eurostat.
“Kur shikojmë statistikat e Eurostat-it dhe se mikro-kriminaliteti është nga më të ulëtit në Evropë; kur shikoj se si kolegë kryebashkiakë në qytete të tjera nuk e imagjinojnë dot jetën pas orës 2-3 të natës, ndërkohë që Tirana gëlon 24/7, ky është një kompliment i jashtëzakonshëm për Policinë e Shtetit. Sigurisht, ne kemi kaluar disa sfida të jashtëzakonshme, Tirana sot nuk ka vetëm 1 milion banorët e saj, por ka mesatarisht 1 milion turistë në muaj. Vjet kaluam shifrën e 12 milionë turistëve. Praktikisht, një polic i Tiranës i shërben dy herë popullsisë që mund të jetë në letra, ndërkohë që është dyfish në realitet”, shtoi ai.
Kryebashkiaku shtoi se sfidat e reja do të menaxhohen me sukses falë bashkëpunimit të Policisë dhe institucioneve të tjera, duke përmendur aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvillohen këtë vit në qytet.
“Tirana ka qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Kryeqyteti Evropian i Sportit, këtë vit Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, ndaj parashikojmë se do të ketë shumë lëvizje, do të ketë shumë delegacione, jam i bindur se do të kalojë me sukses, dhe e di që sot Tirana është kthyer në një qendër politike falë këmbënguljes së Kryeministrit”, deklaroi Veliaj.