Biznesmeni shqiptar Artan ‘Toni’ Kaja u vra me datë 7 janar në fabrikën e letrës Smurfit Kappa. Trupi i pajetë i tij u gjet nga bashkëshortja e cila kishte shkuar që ta shikonte në fabrikë.
Ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e armës me të cilën ai u qëllua me vdekje. Në komisariat është paraqitur dhe arrestuar bashkëmoshatari i tij Marjan Pepa, i cila ka pranuar se ishte përgjegjës për krimin.
“Unë jam përgjegjës për atë që ndodhi në fabrikën e letrës”, ishin të vetmet fjalë që ai arriti të thoshte, përpara se të kalonte në gjendje shoku. Ai ndodhet në burgun San Giorgio në Lucca dhe po ndiqet nga një psikiatër.
Sipas një rikonstruksioni fillestar, vrasësi ka kaluar nëpër varrezat e Lunatës dhe ka hyrë në fabrikë duke u ngjitur mbi një mur. Ai i ka shkuar nga pas Toni Kajës duke e qëlluar.
Ndërkohë arma nuk është gjetur ende, pavarësisht kërkimeve të shumta në të gjithë zonën dhe Pepa duket se nuk e mban mend fare se çfarë ka ndodhur me armën.