Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin në Fier kritikoi shpërndarjen e buxhetit nga ana e qeverisë.
Berisha u shpreh se Belinda Balluku që e etiketoi si “Lubi Balluku” e ha biftekun 1 mijë euro dhe nëse do e kishet bërë këtë një ministër i PD do ishte shkarkuar. Ai theksoi se për vete qeveria i ka rrogat stratosferë ndërsa për qytetarët jo.
“Ky regjim po shkatërron Shqipërinë.
Për një moment ju ftoj të mendoni se çfarë mund të ndodhë me regjimin e Edi Rramës kur 1 milion e 100 mijë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengenit, çfarë do ndodhë 4 vitet e ardhshme? Të paktën 1 milion do largohen dhe do bashkohen me ta.
Së dyti, bashkimi ynë si kusht themelor për një front të madh me të gjithë qytetarët e Fierit, me të gjithë njerëzit punëtorë të këtij qyteti dhe të këtyre zonave, të cilët përjetojnë një regjim që i shfrytëzon me egërsinë më të madhe, të cilët përjetojnë një regjim që sillet ndaj tyre si një regjim kolonial. Po, po, si regjim kolonial. Që të jesh kryeministër, të vësh përpara taksat tuaja, paratë tuaja, 8.2 miliardë euro dhe të lesh për rrogat për qytetarët gjithsej 800 milionë euro, pra vetëm 10 përqind, dhe të lësh për 780 mijë pensionistë, 16 milionë euro, një të 512-tën e buxhetit, të lësh për fermerët shqiptarë gjithsej 31 milionë euro, në një kohë kur japin 19 përqind të gjithë prodhimit të brendshëm të vendit, asnjë kolonialist i pamëshirë nuk do e bënte këtë.
Për vete, rrogat në stratosferë. Për vete, çarter. Për vete, Lubi Balluku biftekun 1 mijë euro.
Ju jap fjalën e nderit se po të kishte imagjinuar një ministër i PD një gjë të tillë, pa dalë nga restoranti do merrte dekretin e shkarkimit.”, tha Berisha.