Presidenti Joe Biden në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë ka përshëndetur lirimin e tre pengjeve izraelite nga Hamasi. Biden u shpreh se tani armët në Gaza kanë heshtur.
“Marrëveshja që parashtrova për herë të parë majin e kaluar për Lindjen e Mesme më në fund u realizua. Armëpushimi ka hyrë në fuqi në Gaza dhe sot, ne po shohim pengjet të lirohen, tre gra izraelite të mbajtura kundër vullnetit të tyre)në tunele të errëta për 470 ditë”, tha Biden.
Ai tha se ishte i kënaqur që ekipi i tij dhe i presidentit të zgjedhur Trump folën me një zë për të ndihmuar në finalizimin e armëpushimit të Gazës dhe marrëveshjes së pengjeve.
“Jam i kënaqur që ekipi ynë foli njëzëri në ditët e fundit. Ishte edhe e nevojshme, edhe efektive dhe e paprecedentë, por suksesi do të kërkojë këmbëngulje dhe mbështetje të vazhdueshme për miqtë tanë në rajon dhe besimin në diplomaci. Tani i takon administratës së ardhshme të ndihmojë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Biden.