Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka zhvilluar një takim me sekretarët politikë në 12 qarqet e vendit.
Blushi u shpreh se koordinatorët e partisë në 12 qarqet duhet të garantojnë përmes një procesi transparent dhe gjithpërfshirës që çdo shqiptar jashtë Shqipërisë me dokumnet identifikimi të shprehet i lirë me vullnetin e tij më 11 maj.
“Edi Rama duhet të marrë në këto zgjedhje përgjigjen më të hidhur që meriton nga diaspora.
Është në detyrimin e Partisë së Lirisë për të bërë gjithçka për të mobilizuar çdo resurs të saj, në mënyrë që 11 Maji të jetë një ditë fitore për pluralizmin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, barazisë para ligjit dhe sidomos një ditë për fitoren e qytetarit të thjeshtë.
Për këtë kërkohet nga ne edhe një përmbysje tërësore të situatës në rrjetet sociale, ku duhet të dominojmë.
Në kushtet kur shumica e mediave, edhe sipas të gjitha raporteve të gazetarëve të huaj, kontrollohen nga Qeveria nëpërmjet financimit me paratë e pista të inceneratorëve, duhet të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin maksimal të rrjeteve sociale, Facebook, Instagram dhe Tik Tok për të shpërndarë masivisht qëndrimet dhe programin tonë.
Jo vetëm ju si drejtues politikë të qarqeve, por çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë duhet të shfrytëzojë maksimalisht rrjetet sociale, në mënyrë që çdo padrejtësi të Narkoqeverisë apo mendim kundër saj, të mos ta mbajë për vete por ta ndajë me miqtë e tij.
Komunikimi ka një rëndësi shumë të madhe, përcjellja e mesazhit ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
Ndaj është jetike që në këtë hark të shkurtër kohor të bëni gjithçka për mobilizimin më të paparë, për të garantuar pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe antareje, mbështetësi dhe mbështetëse të Partisë së Lirisë, në Shqipëri apo në Diasporë, në zgjedhjet e 11 Majit.
Partia e Lirisë ju siguron që do t’i qëndrojmë besnik gjithçkaje që premtojmë sepse ne i kemi dhënë provat që jemi Partia e Fjalës së Mbajtur”, u shpreh Blushi.